Stalingradi do të rikthehet në hartën e qyteteve ruse, gjatë festimeve të përvitshme të përvjetorit të 70 të fitores në një prej betejave më përcaktuese të Luftës së Dytë Botërore, që mban edhe emrin e qytetit ku u zhvillua.

Një qytet me 1,1 milionë banorë në ditët e sotme, i ndodhur buzë Vollgës, qyteti i betejës më të përgjakshme të luftës heroike të Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste, mban që prej vitit 1961 emrin e Vollgogradit.

Më parë, qyteti mbante emrin e diktatorit Stalin, me prapashtesën grad, që në gjuhën ruse ka kuptimin e qytetit “Stalingrad”.

Në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak të qytetit, ditën e premte, u vlerësua se nuk do të kishte të njëjtin kuptim dhe simbolikë që festimet përkujtimore të fitores të bëheshin në qytetin me emrin “Vollgograd”, i quajtur në të shkuarën edhe Tsaritsin, në nder të Carit të Rusisë.

Siç informoi e përditshmja “Pravda”, emri i Stalingradit, i bërë i pandashëm me fitoren e BRSS-së në Luftën e Dytë Botërore, do të rikthehet gjashtë ditë në vit, në 2 shkurt, 9 maj, 22 qershor, 23 gusht, 2 shtator dhe 19 nëntor, të gjitha data që lidhen me festa kombëtare dhe luftën famëkeqe të Stalingradit.

Beteja e Stalingradit, që zgjati nga 17 korriku 1942 deri në 2 shkurt 1943, konsiderohet një pikë kthese në Luftën e Dytë Botërore, pasi ishte humbja e parë e madhe e një beteje nga Gjermania e Hitlerit dhe një sukses  madh strategjik i Bashkimit Sovjetik, që deri në atë datë, kishte vuajtur pothuajse vetëm tërheqje dhe gjendej me gjermanët në portat e Moskës.

Megjithatë, fitorja u pagua me një çmim tepër të shtrenjtë njerëzor, me të paktën 600 mijë rusë që humbën jetën, për të ndaluar gjermanët në portat e Vollgës dhe brenda Stalingradit, të shkatërruar tërësisht.

Në total, Bashkimi Sovjetik ishte vendi që pagoi koston më të shtrenjtë njerëzore gjatë Luftës së Dytë Botërore, me 24 milionë viktima, shumica e të cilëve civilë.

Gjermania, një vend humbës, në krahasim me BS-në, humbi 3-4 herë më pak njerëz, me rreth tre milionë ushtarë të vrarë në luftime dhe 4-5 milionë civilë të vrarë gjatë luftës.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta