Dhimbja e madhe për humbjen e djalit nuk e pengoi një familje shqiptare në Itali të bëhet shembull i humanizmit. Ata vendosën të dhurojnë organet e të birit i cili humbi jetën pas gati një jave në gjendje kome.
Artan Meta punonte barist në një lokal në qytezën e Villasor. 45-vjeçari u godit me një shqelm në fytyrë nga një djalë i ri, i nervozuar sepse një makinë automatike për shitjen e cigareve nuk i kishte dhënë reston prej 20 centësh. E kur baristi shqiptar e kishte qortuar, ai iu përgjigj me goditjen vdekjeprurëse. Familja Meta bëri dhuratën më të vyer duke shpëtuar tre jetë njerëzish.
Altin Prenga është klasifikuar si një nga katër shefat e kuzhinës që po revolucionarizojnë gastronominë botërore. Përzgjedhja është bërë nga revista italiane “L’uomo Vogue” e cila e rendit 30-vjeçarin shqiptar përkrah suedezit Magnus Nilsson, brazilianit Beto Pimentel dhe algjerianit Sid Ali Lahlou. Ata janë vlerësuar për kujdesin e madh që tregojnë në përzgjedhjen e përbërsve, duke përdorur kryesisht ato lloje që lidhen me traditën, prodhohen sa më pranë restoranteve dhe kultivohen prejt tyre.
Piktura e urës së Goricës i ka dhënë çmimin e parë mes 1458 konkurentëve shqiptarit Adi Totaj. Medresisti i Beratit merrte pjesë në konkursin “Një vizion rinor 2012” të organizuar nga UNESCO. Konkursi ndërkombëtar për moshat 13-15 vjeç u zhvillua në Sllovaki.
Mjekësia vazhdon të surprizojë. Një ushtar amerikan i cili humbi të katër gjymtyrët në Irak doli nga një spital pranë Uashingtonit pas një transplanti të rrallë të të dy krahëve. 24-vjeçari iu nënshtrua një operacioni 13-orësh më 18 dhjetor të vitit të kaluar. Brendan Marrocco u tha gazetarëve se është “e mahnitshme” që të ketë përsëri dy krahë pas humbjes së tyre nga shpërthimi i një bombe në anë të rrugës në vitin 2009. Ai është i pari ushtar amerikan nga luftërat në Irak dhe Afganistan që ka mbijetuar pas humbjes së katër gjymtyrëve.
Top Channel