Komandanti i trupave të KFOR-it, Volker Halbauer ka deklaruar se, ndonëse gjendja e sigurisë në Kosovë ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore, ekziston ende rreziku për konflikte të armatosura.

Në një intervistë për “DW”, gjenerali gjerman ka nënvizuar se konfliktet janë një opsion që nuk mund të përjashtohen duke parë situatën në veri të Kosovës dhe në Luginën e Preshevës.

Halbauer ka vënë në dukje se, në veri të Kosovës ekzistojnë organizata kriminale dhe grupe të tjera që për shkak të interesave të tyre nuk u intereson stabiliteti.

“Këto grupe dhe elemente përbëjnë rrezik, pasi për shkak të interesave të tyre nuk janë të interesuara për ndryshimin e gjëndjes”, ka thënë kreu i KFOR.

“Megjithatë, misioni ynë është i përgatitur për të gjitha zhvillimet e mundshme dhe i përkushtuar për krijimin e një mjedisi të sigurt në të gjithë Kosovën”, ka vijuar ai.

Oficeri i lartë ka shtuar se, ndonëse në veri krimi i organizuar është aktiv, shumica e popullsisë që jeton atje është e interesuar për një mjedis paqësor.

Ai ka vlerësuar gjithashtu se, tashmë Kosova po konsolidohet si shtet dhe se pavarësia e saj tashmë është një realitet që nuk mund të injorohet.

Përsa i përket FSK-së dhe mundësisë për kthimin e saj në ushtri, gjenerali ka bërë të ditur se gjasat janë që vendimi për këtë të merret gjatë këtij viti.

“Në Kosovë po bëhet një hulumtim dhe në fund do të prezantohet rezultati. Gjithësesi, angazhimi i KFOR-it do të vazhdojë për aq kohë sa kjo do të jetë e nevojshme”, ka shtuar komandanti Halbauer.

Një ditë më parë u publikua raporti vjetor i NATO-s për Kosovën, në të cilin vlerësohej se gjatë vitit 2012 situata e sigurisë në Kosovë ka qenë më e mirë se në vitin 2011.

“Por korrupsioni, krimi i organizuar dhe mungesa e zhvillimit ekonomik vazhdon të ndikojë situatën e përgjithshme të sigurisë, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës”, evidentonte raporti. 

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta