Koreja e Veriut përgatit ushtrinë për luftë

01/02/2013 00:00

Lëshimi i satelitit nga ana e Koresë së Jugut ka nxitur reagime të ashpra në Korenë e Veriut që e cilëson aktin e Seulit të paprecedentë dhe provokativ, ndaj është urdhëruar përgatitja e ushtrisë për luftë.

Të paktën kështu raporton media ruse dhe ajo kineze. Këto të fundit i druhen përplasjes ushtarake mes dy vendeve nisur nga mungesa e eksperiencës së liderit të vendit komunist në diplomacinë ndërkombëtare dhe rajonale.

Sipas medias shtetërore në Pekin, Kim Jong-un ka urdhëruar përgatitjen për luftë të ushtrisë dhe njëkohësisht me këtë edhe përafrimin e datës për testin e radhës bërthamor, i treti që nga viti 2006.

Kërcënimi i Penianit lidhet me lëshimin me sukses në hapësirë të një sateliti telekomunikimi nga autoritetet koreano-jugore. “Sateliti mund të sjellë përfitime për Korenë e Jugut, por kjo e fundit duhet të llogarisë edhe përshkallëzimin maksimal të tenisoneve me Korenë e Veriut”, shkruan e gazeta kineze, Jeifang Daily, një ndër më të mëdhatë në vend.

Analistë të marrëdhënieve rajonale thonë se Peniani ndjehet më shumë i zemëruar nga fakti që lëshimi i raketës koreano-jugore u njoh ndërkombëtarisht si në përputhje me rregullat, ndërkohë që lëshimi pak javë më parë i Koresë së Veriut mori kritika dhe sanksione për shkak se pjesa më e madhe e vendeve perëndimore mendojnë që lëshimi ishte një maskim për testimin e raketave me rreze të gjatë veprimi që mund të transportojnë edhe mbushje bërthamore.

Top Channel