Kongresi amerikan rrit kufirin e borxhit

01/02/2013 03:20

Kongresi i SHBA-ve ka votuar rritjen e kufirit të borxhit të vendit deri nga mesi i muajit maj.

Votimi 64 pro dhe 34 kundër në Senat, i dha aprovimin përfundimtar faturës, e cila pritet të firmoset edhe nga presidenti Barack Obama tashmë.

Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga republikanët, e kaloi atë javën e kaluar me votimin 285-144. Thesari ka paralajmëruar se mund të arrinte kufirin prej 16,4 trilion dollarësh të borxhit në fund të shkurtit apo marsit, ndërsa Kongresi e ka autorizuar tashmë të kalojë përtej kësaj shifre.

Ekspertët thonë se kalimi i projektligjit mund të lejojë qeverinë të huazojë rreth 450 miliard dollarë, për të paguar interesat e borxhit aktual, si dhe për të plotësuar detyrimet e Sigurimeve Sociale dhe pagat e qeverisë.

Disa republikanë kishin kërcënuar më herët se nuk do të votonin rritjen e limitit të borxhit, deri sa ai të barazohej me shkurtimet e shpenzimeve.

Shtëpia e Bardhë sinjalizoi javën e kaluar se kishte aprovuar masat afatshkurtra, që do të shmangnin mundësinë e mospagimit.

Rritja e kufirit të borxhit vjen një ditë pasi të dhënat treguan se ekonomia amerikane u tkurr papritur në një normë vjetore prej 0,1% gjatë tremujorit të fundit të 2012-s.

Më pak se 1 muaj më parë, Kongresi dhe Shtëpia e Bardhë arritën një marrëveshje të minutave të fundit për të ndalur efektet e kombinimit të shkurtimit drastik të shpenzimeve dhe rritjes së taksave, masa këto që do të kishin shkatërruar ekonominë e brishtë.

Beteja e fundit për tavanin e borxhit mes Kongresit dhe zotit Obama përfundoi në korrik 2011, pasi vendi shkoi shumë pranë mospagimit, gjë që rezultoi në një ulje të vlerësimit të kredive, si dhe në trazira në tregun financiar.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta