Organizata që vëzhgon të drejtat e njeriut, “Human Rights Watch”, kritikoi presidentin rus, Vladimir Putin, që me kthimin e tij në Kremlin, në 2012, ka kufizuar liritë në vendin e tij.
Grupi “HRW”, me bazë në Nju Jork, publikoi të enjten raportin, ku analizohen të drejtat dhe liritë themelore në mbi 90 vende të botës, përfshi edhe Rusinë.
Duke iu referuar situatës në këtë vend, dokumenti nënvizon masat si; gjobat për protestat publike, përcaktimin më të gjerë të tradhtisë dhe kufizimet në internet, të cilat, sipas kritikëve, synojnë të mbysin pakënaqësinë publike.
Në raport thuhet se, me kthimin e tij në krye të Kremlinit, Putin ndërroi kurs, duke u larguar sërish nga ato pak avancime në drejtim të lirive politike, të ndërmarra nga paraardhësi i tij, Dmitrij Medvedev.
Deri tani, Moska nuk ka bërë asnjë deklaratë mbi raportin, por zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Aleksandër Lukasheviç, tha se së shpejti do të ketë një reagim zyrtar.
Ai shtoi se “situata e të drejtave të njeriut nuk është përkeqësuar në Rusi dhe kritikët, siç tha ai, nuk flasin për abuzimet me të drejtat e njeriut, që ndodhin në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian.
Zgjedhjet parlamentare të Dhjetorit 2011, që nxorrën fituese partinë e Putin, Rusia e Bashkuar, u kontestuan nga opozita ruse.
Në Moskë dhe qytete të tjera të Rusisë u zhvilluan protesta. Disa udhëheqës të opozitës ruse u arrestuan dhe përballen me akuza, sipas tyre, të motivuara politikisht.
Top Channel