
Presidenti francez, Francois Hollande do të udhëtojë mbrëmjen e së premtes drejt Mali ku prej tre javësh ushtarët francezë po ndihmojnë qeverinë vendase për të rimarrë nën kontroll territoret veriore dhe veri-lindore të vendit.
Sipas njoftimit të zyrës për shtyp të presidentit francez, Hollande do të vizitojë të shtunën edhe Timbuktunë, qyteti i rimarrë që u dorëzua së fundmi nga rebelët në duart e trupave qeveritare të Bamakos dhe atyre franceze.
Franca vendosi të ndërhyjë ushtarakisht në ish-koloninë e saj para 3 javësh. Vendimi u argumentua nga presidenti Hollande si masë e nevojshme për të parandaluar marrjen nën kontroll të kryeqytetit të vendit afrikan nga ana e ekstremistëve islamikë.
Franca u mbështet nga vendet e tjera perëndimore dhe ato të rajonit në Afrikë. Brenda pak ditësh, rebelët nisën tërheqjen, ndërsa territorët e marra në kontroll prej tyre përgjatë 2012-ës, u rimorën një nga një, mes tyre ishte edhe Timbuktuja, qyteti i vendosur në listën e trashëgimisë kulturore botërore nga ana e UNESCO-s.
Top Channel