
Një 23 vjeçar ka vdekur gjatë përplasjeve të së premtes përpara pallatit të presidentit Mohamed Morsi, në Kajro.
Lajmi konfirmohet nga ministri i Shëndetësisë. Djaloshi, Mohammed Hussein Qarni, ka vdekur si pasojë e plagëve të marra nga një goditje me armë zjarri, teksa manifestonte përpara pallatit presidencial.
Sipas burimeve, janë rreth 53 persona të plagosur nga përleshjet mes manifestuesve dhe forcave të rendit.
Protestuesit egjiptianë janë përleshur me policinë në Kajro, pas një jave dhune, gjatë së cilës kanë ndërruar jetë mbi 60 persona.
Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujëhedhëse për të zmbrapsur turmën, e cila hidhte gurë dhe bomba molotov drejt tyre.
Protesta janë mbajtur edhe në disa qytete të tjera të Egjiptit. Protestuesit akuzojnë presidentin islamik, Mohammed Morsi, se ka tradhëtuar revolucionin e 2011, diçka që ai e mohon.
Në një deklaratë në faqen e tij në Facebook, presidenti paralajmëroi se forcat e sigurisë do të “veprojnë me vendosmërinë më të madhe” për të mbrojtur institucionet e shtetit dhe se grupet, që fshihen pas kësaj dhune, do të mbajnë “përgjegjësi politike”.
Mbështetësit e Morsi-t thanë se demostruesit po përpiqen të përdorin fuqinë e rrugës, për të rrëzuar presidentin e parë të zgjedhur në rrugë demokratike në vend, sipas reporterëve të huaj.
Të premten, mijëra njerëz thërrisnin në kor “Largohu Morsi!”, teksa ishin mbledhur jashtë pallatit presidencial, në veri të kryeqytetit.
Top Channel