
Egjipti përgatitet për protesta të tjera këtë fundjavë. Kundërshtarët e presidentit Mohamed Morsi bënë thirrje për t’u grumbulluar ditën e premte pas faljes.
Të enjten liderët e partive kryesore në vend nënshkruan një marrëveshje ku dënohej dhuna që ka përfshirë së fundmi Egjiptin. Mbi 60 persona kanë humbur jetën brenda kësaj jave duke shënuar kështu javën më të përgjakëshme që nga ardhja në pushtet e Morsit.
Protesta e së premtes ndryshon nga paraardhëset sepse nuk është thërritur nga asnjë parti politike, por nga të rinjtë. Këta të fundit, duke shfrytëzuar rrjetet sociale, bëjnë thirrje për tubime në sheshin Tahrir në Kajro dhe në gjithë sheshet e qyteteve të tjera.
Ata kundërshtojnë presidentin Morsi që sipas tyre ka tradhëtuar idealet e revolucionit dhe është në gjurmët e një regjimi të ngjashëm me atë të Mubarakut.
Por mbështetësit e presidentit thonë se opozita dhe grupet e protestuesve po përdorin protestat për të rrëzuar me forcë Morsin, presidentin e parë të zgjedhur me vota të lira nga egjiptianët.
Në mesjavë, Morsi u detyrua të ndërpresë turin e vizitave zyrtare nëpër Europë për shkak të gjendjes në Egjipt. Ai u takua me kancelaren gjermane, Angela Merkel të cilës i shprehu angazhimin e tij personal për një Egjipt të lirë dhe demokratik.
Top Channel