Clinton: Rusia dhe Irani, jo mbështetje Sirisë

01/02/2013 00:00

Sekretarja amerikane e Shtetit adresoi fjalimin e fundit të saj zyrtar për situatën në Siri. Ajo i bëri thirrje Iranit dhe Rusisë të “rimendojnë qendrimin e tyre karshi regjimit të presidentit Bashar al-Assad”.

Deklarata e Hillary Clinton u lëshua mbrëmjen e së enjtes, pak orë para se të dorëzojë “çelësat e zyrës” tek Sekretari i Shtett, John Kerry.

“Irani dhe Rusia duhet të rimendojnë qendrimin e tyre në ndihmë të Assad nisur nga faktet e reja që dolën në dritë për një përshkallëzim të luftës civile në vend, por edhe për risqet e daljes së konfliktit përtej kufijve sirianë”, tha Clinton.

Një ditë më parë Uashingtoni paralajmëroi Sirinë për të mos i transferuar armë Hezbollahut, në Libanin fqinj. Ky mbërriti në kohën, kur ka lajme kontradiktore për sulmin e avionëve izraelitë në territorin sirian.

Damasku flet për një ofensive ajrore të avionëve izraelitë, që goditën një qendër kërkimore në veri-perëndim të vendit. Nën-Këshilltari për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Ben Rods, nuk dha detaje mbi sulmin izraelit. “Siria, tha ai, nuk duhet të destabilizojë rajonin, duke i transferuar armë Hezbollahut”.

Gazetari i BBC-së, Pol Adams, thotë se lajmi i ofensivës ajrore duket se nuk ka shkaktuar alarm në Uashington. Sipas tij, prania e shefit të shërbimit sekret ushtarak të Izraelit në Uashington sugjeron se administrata Obama mund të jetë informuar kohë më parë.

Më herët, autoritetet siriane i paraqitën zyrtarisht ankesën Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për sulmin izraelit brenda territorit të Sirisë. Ministria e Jashtme e Sirisë i paraqiti një notë proteste Komandantit të Forcës Vëzhguese të OKB-së në Golan, ku thuhej se veprimet e Izraelit shkelin marrëveshjen e vitit 1974, të shkëputjes mes palëve, që teknikisht janë ende në luftë.

Trupat e OKB-së ndodhen në Golan prej 1974, me detyrën e vetme për të garantuar zonën ndarëse në dy anët e këtij territori. Në deklaratën e ushtrisë siriane thuhej se, qendra në Xhamraja u dëmtua gjatë sulmit dhe nënvizoi faktin se grupet terroriste, term me të cilin përcaktohen kryengritësit, kishin dështuar vazhdimisht për ta goditur qendrën.

Një aktivist i opozitës i tha gazetës prestigjoze “Uashington Post”, se megjithëse ka patur dy sulme kundër qendrës, në orët e para të së mërkurës, nuk është dëgjuar zhurma e avionëve dhe kjo vetëm nëse është përdorur ndonjë truk teknologjik.

Autoritetet izraelite deri tani kanë heshtur për incidentin, ndërsa Rusia dhe Irani kanë dënuar sulmin me terma të ashpra.

Top Channel