Bernd Borchardt, njeriu që gjatë luftës në Kosovë ishte zëvëndës i shefit të misionit verifikues të OSBE-së, ambasadorit amerikan, William Walker, ka filluar punën në Kosovë si shef i misionit të BE-së, EULEX.

Që në ditën e parë, ish-ambasadori gjerman në Tiranë gjatë periudhës 2006-2007, ka premtuar se do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet e Kosovës, pas takimeve të shumta që ka zhvilluar me drejtues të institucioneve të vendit.

Gjermani është shprehur i lumtur që i është dhënë mundësia që pas më shumë se 10 viteve të kthehet prapë në Kosovë. Pas takimit që zhvilloi me përfaqësuesin special të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, ai tha se Kosovën dëshiron ta shohë një shtet demokratik ku sundon rendi dhe ligji.

“Ndjehem i lumtur që jam kthyer në Kosovë dhe mezi pres të jem i angazhuar këtu në kuadër të familjes evropiane. Ashtu siç tha Zhbogar, ne këtu kemi një qëllim kryesor, që është evropianizimi i Kosovës. Pas vitit 1999, kur une isha këtu, populli i Kosovës arriti paqen dhe lirinë,  ajo që unë kam dashur është që Kosova të jetë një shtet demokratik ku sundon ligji”, deklaroi Borchardt.

“Sundimi i ligjit mbetet prioritet dhe ne të dy do të punojmë në këtë drejtim me të vetmin qëllim që Kosovën ta bëjmë evropiane”, tha nga ana tjetër Samuel Zhbogar.

Ndërkaq, Borchardt u prit edhe nga zëvëndëskryemninistrja Edita Tahiri, e cila kërkoi angazhimin e EULEX-it në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel me palën serbe, pasi një prej pengesave kryesore janë strukturat ilegale në pjesën veriore të Kosovës.

“Kërkova në veçanti angazhimin e EULEX-it në zbatimin e plotë të marrëveshjes së IBM-së, atë të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave, si dhe të marrëveshjes për doganat, sepse të gjitha këto marrëveshje janë në zbatim e sipër, por një prej pengesave kryesore me të cilat ato ballafaqohen janë strukturat ilegale në pjesën veriore. Ndaj, zhbërja e tyre është një nevojë dhe një kusht që marrëveshjet të plotësohen, por që edhe të hiqen pengesat tjera për lëvizjen e lirë, siç janë barrikadat dhe logjikat e barrikadave. Pra, me fjalë të tjera, kemi mundësi që atë për të cilën jemi marrë vesh në Bruksel ta plotësojmë tërësisht”, theksoi Tahiri.

Ndryshe, shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt, gjatë dy vjetëve të ardhshme do të jetë shef i misionit EULEX, detyrë të cilën deri më tani e kreu francezi Xavier de Marnhac.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA