
Në vitin 2007, Qeveria e djathtë ndërmori ndoshta reformën e saj më të
rëndësishme, taksën e sheshtë, që Kryeministri e etiketon si revolucioni
fiskal.
Efekti i ligjit ishte rritje e taksave për shtresat me të ardhura të ulëta dhe të mesme dhe ulje për kategorinë e atyre me paga të larta.
Rritja e taksave varion nga 260 lekë për pagën minimale të asaj kohe deri në 1060 lekë në muaj për ata me pagë 30 mijë lekë. Kur kanë kaluar 6 vjet dhe vendi po shkon drejt zgjedhjeve Qeveria njoftoi se do ta heqe taksën për këtë kategori, edhe pse për 6 vjet ata paguan më shumë se në vitin 2005.
Por çfarë ndodh me shtresat e tjera? Fasha e pare te shtreses se mesme, me page nga 40 mije deri në 90 mijë lekë, është kategoria më e goditur, ku taksat janë rritur me 2560 lekë në muaj ose mbi 300 dollarë në vit.
Rritja e taksave vazhdon edhe për ata me paga mbi 90 mijë lekë në muaj, ndonëse vjen duke u zbutur. Pikërisht niveli i pagës 140 mijë lekë ishte pika e thyerjes. Për ata me pagë më të lartë se ky kufi, taksa e sheshtë jo vetëm që nuk e rriti barrën, por e uli atë. Sa më shumë rritet paga aq më e fort ulen taksat.
Për një page 200 mijë lekë në muaj, taksa u ul me 2940 lekë. Këtu janë përgjithësisht deputetët, ministrat apo zyrtarë të tjerë të lartë, të cilët kanë përfituar deri në 350 dollarë në vit nga ulja e taksave. Por lehtësimi bëhet më i fortë për rrogat më të larta. Për një individ me pagë 250 mijë lekë në muaj, taksa e sheshtë i uli detyrimet tatimore me 7940 lekë në muaj. Kjo është rroga që marrin bankierët, Kryeministri, kryetarja e Kuvendit, Presidenti apo dhe zyrtarë të tjerë, të cilët kanë përfituar deri në 1 mijë dollarë në vit nga taksa e sheshtë. Këto janë vetëm përfitimet nga paga, pa llogaritur dietat apo zërat e tjerë të të ardhurave që mund të ketë kjo kategori.
Nëse llogariten dhe këto, për disa zyrtarë, si Guvernatori i Bankës Qëndrore taksa e sheshtë i ka ulur detyrimet deri në dhjetë mijë dollarë në vit, sa pagesa vjetore e 20 pensionistëve në fshat. Në fund e gjithë reforma e taksës së sheshtë, konkludoi në një efekt final, uljen e taksave për të pasurit dhe hedhjen e saj tek shtresa e mesme, të cilën Qeveria nuk e mbrojti as këtë herë, kur lajmëroi heqjen e fashës vetëm për pagat deri në 30 mijë lekë.
Top Channel