Sulmi izraelit në Siri, Rusia e shqetësuar

31/01/2013 02:00

Autoritetet izraelite nuk bënë asnjë koment mbi lajmin e fundit, që qarkullon në mediat ndërkombëtare, për sulmin e avionëve ushtarakë në kufirin siriano-libanez.

Po kështu edhe Departamenti amerikan i Shtetit. Por, media shtetërore siriane raportoi se në shënjestër ishte një bazë ushtarake.

Agjencia e lajmeve SANA iu referua deklaratës së ushtrisë, sipas së cilës “avionët izraelitë shkelën hapësirën ajrore të Sirisë agimin e së mërkurës dhe kryen një sulm të drejtpërdrejtë kundër një qendre kërkimore-shkencore, që kishte si detyrë kryesore të rriste nivelin e mbrojtjes”.

Televizioni shtetëror raportoi se qendra, që ndodhej në Jermana, në veriperëndim të Damaskut, u dëmtua gjatë sulmit. Nëse raportimet do të vërtetohen, atëherë parashikohet incidenti më i madh diplomatik, sepse Irani do të trajtojë çdo goditje kundër Sirisë, si një sulm ndaj tij dhe valët sizmike do të përhapen në të gjithë rajonin.

Kohet e fundit, Izraeli ka shprehur frikën se raketat dhe armët kimike në Siri do të bien në duart e militantëve, siç është Hezbollahu në Liban. Agjencia e lajmeve Associated Press citoi një zyrtar amerikan, i cili tha se në shënjestër ishin vënë disa kamionë që transportonin kundra-ajrorë SA17, të prodhuar në Rusi.

Të dielën, zv-kryeministri izraelit, Silvan Shalom, tha se shenja më e vogël që do të tregojë se Siria ka humbur kontrollin mbi arsenalin e armëve të saj kimike, do të marrë përgjigjen e vendit të tij.

Moska: Shkelje e rregullave të OKB-së

Rusia ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me një sulm të dyshuar të Izraelit ndaj Sirisë, duke thënë se sulme të tilla janë të papranueshme dhe në shkelje me rregullat e OKB-së.

Ushtria siriane deklaroi se avionë izraelit kishin shënjestruar një qendër kërkimesh ushtarake në veri-perëndim të Damaskut ditën e mërkurë.

Nga ana tjetër, ajo mohoi zërat se ishin goditur kamionë që po transportonin armë për Libanin. Rusia ka refuzuar vazhdimisht të kritikojë presidentin Bashar al Assad gjatë konfliktit që zgjat prej 22 muajsh dhe që ka vrarë mbi 60 mijë persona.

Në një deklaratë, të cituar nga media shtetërore, ushtria siriane tha se avionët ushtarakë izraelitë kishin kryer një sulm direkt mbi një qendër kërkimore shkencore në Jamraja, duke vrarë dy persona dhe plagosur pesë të tjerë.

“Nëse ky informacion konfirmohet, atëherë kemi të bëjmë me sulme të paprovokuara ndaj objektivave të një vendi sovran, veprim ky që është në kundërshtim me rregullat e OKB-së dhe i papranueshëm, pavarësisht motiveve për ta justifikuar”, deklaroi Ministria e Jashtme ruse.

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Izraelit janë përmirësuar në vitet e fundit me marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike që janë përforcuar, thotë korrespondenti i BBC në Moskë, Steve Rosenberg.

Por Moska është një aleate e ngushtë e presidentit Assad, gjë që shpjegon dhe shqetësimin e saj për sulmin ajror, shton reporteri. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA