SHBA, 6 shtete nën “mëshirën” e tornadove

31/01/2013 15:50

Tornado dhe erëra të fuqishme janë duke shkaktuar dëme të mëdha materiale në shtetin e Xhorxhias dhe pesë shtete të tjera amerikane, raportuan mediat ditën e enjte.

Me dhjetëra makina janë përmbysur, shtylla elektrike janë rrëzuar dhe pemë të panumërta janë shkulur, nga stuhia që ka përfshirë një zonë rreth 1 500 kilometra katrorë, që prej orëve të para të mëngjesit.

Sipas “CNN”, me dhjetëra mijëra banorë janë të bllokuar në banesat e tyre, ndërsa një i vdekur është regjistruar në Tenesi.

Të paktën 17 persona janë plagosur në Xhorxhia, dy prej të cilëve në gjendje kritike.

Të dhënat paraprake flasin se komuniteti i Adairsvilit, në Xhorxhia, është shndërruar në një rrënojë, nga tornadot që kanë kthyer “përmbys” qytezën me 5 mijë banorë.

Përveç Xhorxhias dhe Tenesit, tornado janë regjistruar edhe në Teksas, Karolinën e Jugut, Karolinën e Veriut dhe Pensilvani.

Vdekja e shkaktuar nga tornadot vjen pas 220 ditësh pa asnjë fatalitet nga ky fenomen atmosferik, një rekord për SHBA-në.

Sipas metereologëve amerikanë, koha e keqe pritet të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa edhe disa shtete të tjera janë vendosur në alarm.

Tornadot janë një vorbull e fuqishme ajri, të ngjashëm me ciklonet, të shkaktuar nga rrymat e forta të ajrit, krijuar si pasojë e rënies së trysnisë atmosferike brenda sistemit të një stuhie.

Tornado janë vrojtuar në çdo kontinent, me përjashtim të Antarktidës, por për shkak të veçorive të ndryshme klimaterike, godasin kryesisht Shtetet e Bashkuara, ndonëse fenomeni është prezent në të gjithë Amerikën e Veriut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA