Piloti i dytë në gjumë lë kapitenin jashtë kabine

31/01/2013 16:35

Një pilot ra në gjumë ndërsa ishte i vetëm në drejtimin e avionit mijëra metra mbi tokë.

Ishte Agjensia Holandeze e Sigurisë Ajrore, ajo e cila publikoi të enjten raportin mbi një incident të ndodhur në muajin shtator, kur një avion i linjës holandeze “Transavia” doli jashtë kursit, rrugës për në ishullin grek të Kretës.

Sipas raportit, i cili e konsideroi këtë incident si “tepër serioz”, kapiteni ishte larguar në tualet, kur pilotin e dytë e zuri gjumi.

Ai tentoi të hynte, por për shkak të sigurisë së shtuar pas 11 shtatorit, e kishte të pamundur të hapte derën nga jashtë.

Kapiteni arriti të depërtonte në kabinë vetëm pasi shpërtheu derën disa minuta më pas, falë ndihmës së ekuipazhit, duke alarmuar udhëtarët e avionit.

Ndryshe nga sa besoi fillimisht, kapiteni u befasua kur pa se vartësi i tij nuk kishte asnjë problem shëndetësor apo humbje ndienjash, por thjesht e kishte zënë gjumi.

”Boeing 737” i “Transavia Air” përfundoi udhëtimin e tij pa probleme, por dalja jashtë kursit për disa minuta alarmoi kullën e kontrollit, e cila dyshoi për një rrëmbim të linjës.

Për fatin e mirë të udhëtarëve, piloti i dytë ishte përgjumur ndërsa ishte i mbeshtetur ne ndenjesen e tij dhe me autopilotin e aktivizuar. Nëse avioni do të kishte qenë në atë moment në drejtim manual ose nëse përgjumja do të sillte mbështetjen e pilotit mbi levën e komandimit, pasojat e kësaj “dremitje” mund të kishin qenë fatale.

Në të shkuarën, kur në kabinat e avionëve ndodhej dhe një inxhinjer i bordit, incidente të tilla kanë qenë të panjohura, pasi në rastin e lëvizjes së një prej pilotëve, mbeteshin gjithmonë dy persona në kabine.

Megjithatë, avionët modernë drejtohen nga vetëm dy pilotë dhe një raport i publikuar së fundmi nga një agjensi e Bashkimit Europian shkruante për rrezikun gjithmonë e më të lartë që i kanoset sigurisë së fluturimit, nga mbingarkesa dhe orët pa gjumë që pilotët i nënshtrohen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA