Mali, rebelët humbin edhe në Kidal

31/01/2013 00:00

Trupat franceze kanë siguruar qytetin verior të Kidalit, në Mali,
fortesa e fundit e rebelëve islamikë në rajon, njoftuan burime
ushtarake.

Militantët islamikë kanë lënë tashmë qytetin, në afërsi të kufirit me Algjerinë dhe besohet të jenë duke u fshehur në malet përreth.

Marrja nën kontroll e qytetit të Kidalit vjen pak ditë pasi forcat franko-maleze morën nën kontroll qytetet Gao dhe Timbuktu.  Autoritete nga qyteti i Kidalit deklaruan se trupat franceze nuk kanë hasur rezistencë.

“Trupat mbërritën në bordin e katër avionëve. Ato në fillim morën aeroportin dhe më pas hynë në qytet, ku nuk pati fare luftime. Aktualisht këto trupa janë duke patrulluar qytetin, të ndihmuara nga dy helikopterë”, tha kreu i asamblesë rajonale, Haminy Maiga.

Më herët, ministri francez i Mbrojtjes, Jean Yves Le Drian tha se një stuhi rëre kishte vonuar avancimin e trupave nga aeroporti për në qytet.

Militantët islamikë zgjeruan kontrollin e tyre në veri të Malit në prill të vitit 2012, duke përfituar nga grushti ushtarak. Franca, fuqia koloniale në Mali, nisi ofensivën operacionale këtë muaj pasi militantët përbënin rrezik për jugun.

Korrespondenti i BBC në Timbuktu thotë se marrja e qytetit të Kidalit shënon fundin e fazës së parë të operacionit ushtarak kundër guerrilasve në veri të vendit.

Top Channel