Mali, militantët në tërheqje të plotë

31/01/2013 15:20

Tre javë pasi ushtria franceze nisi të shënjestrojë militantët islamikë në veri të Malit, kryengritësit po tërhiqen në “kaos të plotë”, deklaroi të enjten Ministria franceze e Mbrojtjes.

Ministri Jean-Yves le Drian, në një konferencë për shtyp, theksoi se grupimet e xhihadistëve tashmë janë shpërbërë në fraksione të vogla, në atë që ai e konsideroi si një “pikë kthese” në konfliktin Malian.

Komentet e ministrit u bënë ndërsa forcat franceze po vazhdojnë të sigurojnë perimetrin përreth Kidalit, qytetit të fundit në dorë të rebelëve, i cili ra në dorë të trupave qeveritare këtë të mërkurë.

Në komentin e tij, ministri i Mbrojtjes rikonfirmoi qëllimin e Parisit zyrtar për t’u tërhequr brenda pak kohësh pas sigurimit të rendit në Mali.

Aktualisht, mbi 2 mijë ushtarë afrikanë, kryesisht nga Çadi dhe nIgeri, ndodhen në vend duke marrë në dorë detyra patrulluese dhe kontrollesh nëpër postoblloqe.

Disa mijëra ushtarë të tjerë, nga një koalicion vendesh afrikane, pritet të mbërrijnë së shpejti në Mali, për të siguruar vendin nga rikthimi i islamistëve pas tërheqjes së trupave franceze.

Aktualisht, forcat islamike kanë përqëndruar fuqinë e tyre në zonat rurale, ku e kanë më të lehtë të mbrohen, falë përkrahjes së fshatrave besnikë dhe njohjes më të mirë të terrenit.

Franca, ish-zotëruesi kolonial i Malit, pranoi në 10 janar thirrjen e qeverisë vendase për ndihmës, pas avancimit të militantëve në veri.

Në dhjetë muajt e fundit, të fuqizuar nga armatimet e siguruara gjatë krizës libiane (2011-12), tre grupime të fuqishme islamike arritën të vendosnin veriun e Malit nën administrimin e tyre, por tashmë duket se janë shpërbërë në disa fraksione më të vogla.

Një prej shteteve më të varfëra në botë dhe i kufizuar në veri nga shkretërira e Saharasë, Mali ka një sipërfaqe të përafërt me atë të Francës, Gjermanisë e Italisë marrë së bashku, e nje popullsi prej 14,5 milione banoresh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA