Kamerun shkon në Algjeri

31/01/2013 01:45

Për herë të parë, prej shpalljes së pavarësisë në vitin 1962, një kryeministër britanik viziton Algjerinë.

Pas pengmarrjes në impiantin e gazit në In Amenas, në Sahara, David Kameron diskutoi me homologun e tij Abdelmalek Selal, për kërcënimin nga terrorizmi.

“Kriza e pengjeve, gjatë së cilës humbën jetën 37 të huaj, 6 prej të cilëve britanikë, ishte një kujtesë – tha Kameron, – se ajo që ndodh në vende të tjera, cënon edhe shtëpinë tonë”.

Ai mbrojti edhe ndërhyrjen e Perëndimit në Mali, vendi fqinj me Algjerinë. Britania e Madhe do të dërgojë 330 ushtarë në Mali dhe Afrikën Perëndimore për të mbështetur trupat franceze, që përballen me militantët islamikë.

Zhvendosja do të përfshijë 40 këshilltarë ushtarakë në Mali dhe 200 ushtarë në vendet fqinje afrikane, për të ndihmuar ushtrinë e Malit. Kritikët paralajmërojnë dështimin e misionit, por Kameron tha se Britania e Madhe është e hapur dhe e lidhi konfliktin në Afrikën Veriore me interesat kombëtare britanike.

Sipas tij, qëndrimi i vendit është të mbrojë shtetasit e tij në çdo cep të botës. David Kameron do të nënshkruajë partneritetin e sigurisë me Algjerinë si dhe bashkëpunimin në tregti dhe arsim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA