Cameron viziton Libinë, takime me ministrat

31/01/2013 00:00

Kryeministri David Cameron ka mbërritur në Libi, në etapën e dytë të
turit të tij në Afrikë. Ai udhëtoi në kryeqytetin Tripoli pasi përfundoi
vizitën në Algjeri.

Downing Street kërkoi mosinformimin e mediave për vizitën në Libi për arsye sigurie, bën të ditur rrjeti informativ britanik, BBC.

Kryeministri ka ecur në Sheshin e Martirëve në Tripoli, pasi ka folur me rekrutët e policisë libiane, të cilët po trajnohen nga kolegët britanikë.

Zoti Cameron është takuar ndërkohë me ministrin e Brendshëm libian, ndërsa aktualisht po zhvillon një takim me kryeministrin e vendit.

Më herët gjatë javës, Foreign Office paralajmëroi për një “kërcënim potencial” ndaj ambasadës britanike në Tripoli.

Paralajmërimi erdhi një javë pasi shtetasve britanikë iu kërkua të largoheshin nga qyteti i dytë i vendit, Bengazi, për shkak të kërcënimeve që u kanoseshin perëndimorëve.

Në shtator të vitit 2011, zoti Cameron udhëtoi për në Bengazi bashkë me presidentin e atëhershëm francez Nicolas Sarkozy, për festuar çlirimin e vendit nga koloneli Muammar Gaddafi.

Por situata e sigurisë që atëherë është përkeqësuar. Teksa kryeministri takonte rekrutët e policisë në Sheshin e Martirëve, helikopterë të policisë patrullonin gjatë gjithë kohës zonën, bashkë me forcat e sigurisë në tokë.

Zoti Cameron ka thënë se Britania do të sigurojë më shumë asistencë për oficerët e policisë në trajnim e sipër, teksa ndoqi edhe ceremoninë e diplomimit të disave prej tyre.

Top Channel