Trupat franceze kanë zbarkuar në Kidal, qyteti i fundit i madh që është në duart e militantëve islamikë.
Sipas BBC, avionë dhe helikopterë francezë kanë mbërritur në aeroportin e Kidalit gjatë natës.
Trupat maliane të udhëhequra nga ushtria franceze kanë marrë nën kontroll veriun e vendit afrikan ditët e fundit. Disa ditë më parë ata kanë hyrë në Gao dhe Timbuktu pa ndeshur kurrfarë rezistence.
Gjatë së hënës rreth 1 mijë ushtarë francezë, përfshirë ata të divizionit të parashutistëve, dhe 200 trupa vendase morën nën kontroll aeroportin e Timbuktusë dhe depërtuan në qytet.
Koloneli Frederic Gout, drejtues i operacioneve ajrore, tha për agjencinë “AFP”: “Gjatë operacionit nuk u qëllua asnjë plumb dhe nuk u derdh asnjë pikë gjak. Gjithashtu, nuk pati asnjë rezistencë”.
Duke mirëpritur trupat aleate, banorët thanë se militantët ishin larguar që disa ditë më parë, pas sulmeve ajrore franceze ndaj bazave të tyre.
Teksa tërhiqeshin drejt shkretëtirës, guerrilasit islamikë i vunë zjarrin një seri ndërtesash, përfshirë një bibliotekë që mbante dorëshkrime të shekullit të 13-të.
Top Channel