“Lobim me paratë e taksave”

30/01/2013 00:00

Partia Socialiste, duke iu referuar lajmit të djeshëm në Top Channel nga
ku u bë publike kontrata e më e fundit e Qeverisë shqiptare me
kompaninë e konsulencës dhe lobimit ‘Patton Boggs’ në SHBA, opozita
thotë se ajo është mbajtur e fshehtë nga Qeveria shqiptare.

Tani që kontrata është bërë publike, jo nga Qeveria por falë medias, del në pah arsyeja e mbajtjes sekret të saj: Qeveria shqiptare po përdor paratë e popullit për të mbuluar harxhet e fushatës së vet elektorale. Kontrata mes Qeverisë shqiptare dhe kompanisë ‘Patton Boggs’ është firmosur nga personi i gabuar, në kohën e gabuar ka përmbajtjen e gabuar dhe po përdor paratë e gabuara”, tha deputetja socialiste Ermonela Felaj.

Sipas deputetes Felaj, qëllimi i vetëm i nënshkrimit të kësaj kontrate lidhet me fushatën elektorale.

“Të gjitha shërbimet që përfshihen në këtë kontratë, duke filluar nga trajnimet e deputetëve apo ministrave, ndërhyrjet për të siguruar intervista në median e huaj, bllokimet e lajmeve negative, promovimin e lajmeve positive, apo kurimin e imazhit të Kryeministrit, flasin qartë për një shërbim të kompanisë ‘Patton Boggs’ në funksion të fushatës së ardhshme zgjedhore të Partisë Demokratike. Për këtë arsye, kjo kontratë mund të ishte firmosur nga ndonjë funksionar i Partisë Demokratike, por kurrësesi nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Kjo kontratë mund të paguhej nga fondet e Partisë Demokratike, por kurrësesi nga taksat e shqiptarëve”, u shpreh Felaj.

Ajo çka del qartë nga ky tjetër skandal i Kryeministrit theksoi zonja Felaj, është se për të mbuluar harxhet e fushatës, Sali Berisha po abuzon sërish me paratë e popullit.

Top Channel