KLSH bën publike shifrat për 2012

30/01/2013 00:00

Në auditimin e kryer gjatë vitit 2012, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka
gjetur shkelje në institucionet e pushtetit vendor dhe qendror, që i
shkaktojnë buxhetit të shtetit një dëm prej 13.5 miliardë lekësh.

Në analizën vjetore të këtij KLSH-së, kryetari Bujar Leskaj tha se institucioni i tij ka rekomanduar zhdëmtimin e kësaj shume në masën 100 për qind. Në fjalen e tij zoti Leskaj tha se një nga problemet më të mëdha është shkalla e ulët e ndëshkuesmërisë në rastet e zyrtarëve të korruptuar.

“Masat për largime nga puna të drejtuesve të gjetur me shkelje janë në një nivel shumë të ulët. Ky tregues i ulët ka ardhur jo nga toleranca jonë, por unë mendoj ka ardhur nga serioziteti i paktë i titullarëve të enteve të audituara, nën ndëshkimin e shkelësve të ligjit brenda stafit të tyre”, tha Leskaj.

Kryeprokurori Adriatik Llalla ofroi bashkëpunimin e Prokurorisë së Përgjithshme në hetimin e çdo rasti të abuzimit me detyrën publike që denoncohet edhe nga Kontrolli i Shtetit.

“Vijimi i bashkëpunimit mes dy institucioneve tona, jam i sigurt se do t’i japë frytet e tij si në drejtim të rritjes së cilësisë së evidentimit të veprave penale dhe hetimit të tyre, duke dërguar në gjykatë në mënyrë sa më të afërt dhe të shpejtë personat e veshur me pushtet publik, të cilët abuzojnë me detyrën e tyre”, tha Llalla.

Analizën e Kontrollit të Lartë të Shtetit e përshëndeti Presidenti i Republikës Bujar Nishani, i cili në cilësinë e Krytarit të Lartë të Drejtësisë shprehu mbështetjen e KLD-së për monitorimin e sjelljes së trupës gjyqësore ndaj çdo procesi të kërkuar nga KLSH-ja.

“Dëshiroj të siguroj që çdo kontribut i juaj, në goditjen e ashpër dhe penalizimin e akteve dhe aferave korruptive, të kujtdo dhe në çdo nivel të administratës publike, qendrore apo lokale, apo dhe private do të mbështetet fuqimisht dhe nga instrumentat e tjerë të shtetit ligjor. Dëshiroj t’ju garantoj se Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të ndjekë dhe monitorojë me shumë vëmendje sjelljen ligjore të trupës gjyqësore, ndaj të gjitha çështjeve, të iniciuar nga institucioni juaj, të hetuara nga Prokuroria dhe të paraqitura në Gjykatë”, u shpreh Nishani.

Top Channel