Itali, sherr mes “heronjve” të antimafias

30/01/2013 15:50

Klima elektorale në Itali duket se ka futur në një sherr të ashpër verbal prokurorët e antimafias dhe ish-kolegët e tyre që synojnë të hyjnë në politikë.

Replikat kanë lindur mes ish-prokurorit të Palermos, Antonio Ingroia dhe prokurores aktuale të antimafias së Milanos, Ilda Boccassini, të dy të konsideruar si simbole të luftës kundër krimit të organizuar.

Ka qenë Boccassini që ka sulmuar ish-kolegun e saj për krahasimin që ai i bëri vetes në një tubim politik me Giovanni Falcone, prokurori që dha jetën në luftën kundër mafias.

“Si mundi Antonio Ingroia të krahasojë figurën e tij të vogël si prokuror me atë të Giovanni Falcone? Mes tyre ekziston një distancë që mund të matet me miliona vjet. T’i vijë turp”, ka thënë Boccassini.

Pas prokurores, edhe Maria Falcone, motra e prokurorit të vrarë nga e ashtuquajtura “marrëveshja shtet-mafie”, ka deklaruar se ka mbetur e shokuar kur ka dëgjuar Ingroia-n të vetëkrahasohet me vëllain e saj.

“Respektoj historinë profesionale të ish-prokurorit të Palermos, por historia e Giovanni-t ka qenë tërësisht ndryshe. Nuk lejoj askënd të flasë për të për t’u vetëpromovuar në nivel politik”, ka thënë zonja Falcone.

Ndërkohë, nuk ka munguar reagimi i Ingroia-s, që aktualisht është kandidat i Revolucionit Civil në zgjedhjet e përgjithshme të Italisë.

“Prita një përgënjeshtrim, por më kot. Duke qenë kështu, mund të them se personi i vetëm të cilit duhet t’i vijë turp është ajo, që edhe pse është ende në magjistraturë, merr pjesë në garën politike duke manipuluar deklaratat e mija. Herën tjetër të mendohet mirë para se të hapë gojën”, ka thënë Ingroia.

“Ndërsa zonjës Maria Falcone, me gjithë respektin për mbiemrin që ka, i them të informohet para se të flasë. Unë s’e kam përdorur kurrë emrin e Giovanni Falcone për vota. Ajo po, kur kandidoi për postin e eurodeputetes dhe nuk u zgjodh”, ka shtuar ish-prokurori i antimafias.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA