Ekonomia spanjolle vazhdon “rënien e lirë”

30/01/2013 15:50

Rënia e ekonomisë spanjolle u përkeqësua më shumë në tre muajt e fundit të vitit 2012, me Prodhimin e Brendshëm Bruto që pësoi një tkurrje prej 1,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, ai tetor-dhjetor ishte 0,7% më i keq, duke hyrë në historinë e vendit si semestri më i dobët që prej krizës botërore ekonomike të vitit 2009.

Aktualisht, Spanja është duke u përballur me faktorë të shumtë që pengojnë rritjen ekonomike, midis të cilëve borxhi i lartë kombëtar, defiçiti i lartë buxhetor, masat e ashpra shtrënguese të kursimit, mungesa e konkurrencës, borxhi i lartë i sektorit privat dhe mungesa e qëndrueshmërisë në sistemin bankar.

Kryeministri i vendit, Mariano Rajoy, iu përgjigj këtyre shifrave të publikuara nga Instituti Kombëtar Spanjoll i Statistikave duke lajmëruar një paketë të re stimuluese për ekonominë.

Paketa përfshin reduktim taksash për sipërmarrësit e rinj, por pritet të ketë pak efekt në panoramën e përgjithshme të shkurtimeve që po udhëheq Madridi zyrtar.

Aktualisht, problemi i papunësisë është më akuti për vendin, me më shumë se pesë milionë spanjollë ose 26% e forcës aktive që është e papunë, shifër që kalon 55% për grupmoshën 18-25 vjeç.

Problemet serioze për ekonominë spanjolle kanë bërë që vendi të përballet me lëvizje gjithmonë e më të fuqishme separatiste, me krahina si Katalunja që kanë vënë në lëvizje një aksion politik për fitimin e pavarësisë nga Spanja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA