Drejtuesi i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu ka zhvilluar pasditen e së mërkurës një takim me strukturat rinore të këtij subjekti politik në Tiranë.
Në fjalën e tij para të rinjve Spahiu është shprehur i bindur për fitoren e AK në zgjedhje dhe largimin e atyre që i ka quajtur “garda e vjetër”.
“Kuqezinjtë do largojnë gardistët e vjetër. Vetëm vota e të rinjve do të ndryshojë Shqipërinë. Të rinjte kuqezi do ta çojnë vendin drejt BE-së”, ka deklaruar Spahiu.
Spahiu ka akuzuar gjithashtu qeverinë për rritjen e borxhit, që sipas tij do të rëndojë mbi kurrizin e të rinjve, si dhe i ka quajtur mashtrime premtimet e PS për punësimin nëse vjen në pushtet.
“Qeveria po rrit borxhin që ta paguajnë të rrinjtë. Po ashtu, po rrit moshën e pensionit. Nuk ka vende të reja pune për të rinjtë me PD dhe PS. Me këto parti 1 milion të rinj janë të papunë”, ka shtuar Spahiu.
Spahiu: Ksera, shërbëtor i Greqisë
Më herët kreu i Aleancës Kuq e Zi akuzoi ministrin e Punës, Spiro Ksera, se punon për Greqinë dhe po rrit papunësinë në vend. Sipas Kreshnik Spahiut, Ksera është bashkëpunëtori më i afeët i qeverisë me Agimin e Artë dhe sipas tij ai duhet të arrestohet.
“Pak ditë më parë u shfaqën zëra se Shqipëria nuk ekziston, se kombi shqiptar nuk ekziston, se flamuri shqiptar nuk ekziston. Ministri e shpalli këtë person non grata, por non grata duhet të jenë Berisha, Panairiti, Ksera e me kompani, pasi bëjnë biznese me Greqinë. Ata ofrojnë Vorio Epirin. Ky është flamuri që cënon integritetin territorial të Shqipërisë, sepse synon Greqinë e madhe. Nëse kanë kurajë, këta ministra të veprojnë dhe t’i ndalojnë këta persona që cënojnë integritetin e territorit shqiptar”, deklaroi Spahiu.
Top Channel