Siri, zbulohen dhjetëra të ekzekutuar

29/01/2013 16:15

Disa dhjetëra trupa meshkujsh në moshën 20-30 vjeçare, të gjithë të ekzekutuar, u gjetën pranë qytetit më të madh të Sirisë, Alepos.

Ishin kryengritësit ata që bënë zbulimin e frikshëm, duke lajmëruar agjensitë ndërkombëtare për këtë masakër të re në vendin e shkatërruar nga lufta civile 2-vjeçare.

Të paktën 65 trupa janë numëruar, të hedhur në bregun e një lumi që përshkron qytetin, raportoi organizata “Vrojtuesi Sirian i të Drejtave të Njeriut”, me qendër në Londër.

Shumica e viktimave kishin ende duart të lidhura pas shpine dhe ishin ekzekutar me një plumb të vetëm pas koke.

Disa sekuenca video të trupave të pajetë u publikuan të martën në rrjetin “Youtube”.

Sipas kryengritësve, të vrarët ishin rebelë që iu dorëzuan ushtrisë së Assad. Megjithatë, mediat ndërkombëtare nuk janë në gjendje të verifikojnë vërtetësinë e këtij pretendimi.

Në muajt e fundit, korrespodentë të huaj kanë identifikuar një seri masakrash të ndodhura në Siri, përfshi vrasjen e verifikuar nga “BBC” të mbi 100 civilëve, në një fshat pranë Homsit.

Lufta civile siriane, e nisur pas shtypjes së dhunshme të protestave paqësore në mars 2011, i ka kushtuar jetën mbi 60 mijë sirianëve deri tani, ndërsa katër milionë kanë humbur ose janë larguar prej banesave të tyre në zonat e nxehta të luftimeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA