Rregulla më të forta për shtetësinë

29/01/2013 01:20

Duke filluar nga muaji mars, ata të huaj që do marrin shtetësinë britanike, do kalojnë në një provim, që i përngjan më shumë një provimi mature, ku pritet të dinë me shumë për historinë britanike, që nga Epoka e Gurit, te sundimi romak, apo për Magna Carta.

Ata do të testohen edhe për Lojërat Olimpike të vitit të kaluar dhe të dinë më shumë për sensin unikal të humorit dhe satirës britanike.

Të huajt që do hynë në provimin e shtetësisë britanike, do të pyeten për arritjet artistike të vendit, për dashurinë e britanikëve për kopshtarinë, si dhe arkitektët më të famshëm anglezë, si Christopher Wren dhe Norman Foster, për trashëgiminë artistike dhe influencën në botën e muzikës botërore të grupit Beatles dhe kompozitorin e Andreë Lloyd Weber.

Pyetje do të ketë edhe për kryeveprat letrare të poetëve dhe autorëve të njohur britanikë, shkencëtarët dhe politikanët, për Shakespear-in, Robert Burns, Isak Newton dhe Winston Churchill.

Ministri britanik i Emigracionit, Mark Harper, tha: “Provimi i ri, me të drejtë fokusohet në vlerat dhe parimet e të qenit britanik. Në vend që t’u themi njerëzve, se si të kërkojnë ndihmat sociale, provimi i ri i inkurajon ata të marrin pjesë në jetën britanike”.

Kritikët e këtij testi thonë se, ai i përngjan një provimi hyrës për në shkollat publike elitare britanike. Aplikantët për shtetësinë britanike do të duhet të përgjigjen saktë 75 për qind të 24-pyetjeve, në provimin që zgjat 45 minuta. Libri i provimit të shtetësisë ka dalë tashmë në libraritë britnaike.

Më shumë se 150 mijë provime u bënë vitin e kaluar në mbarë Britaninë, ku 77 mijë vetë morën shtetësinë vetëm në Londër.

Britania e Madhe ka pasur sistemin më të relaksuar të marrjes së shtetësisë, krahasuar me shume shtete të Bashkimit Europian, por testi i ri pritet të jetë një sfidë e madhe kulturore për shumë emigrantë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA