Mali, Timbuktuja nën kontroll total

29/01/2013 00:00

Trupat e udhëhequra nga ushtria franceze po konsolidojnë pozicionin e
tyre në qytetin historik të Malit, Timbuktu, pasi ua morën atë nga
kontrolli rebelëve islamikë.

Komandantët e ushtrisë franceze deklarojnë se ushtarët po patrullojnë rrugët në kërkim të militantëve të mbetur. Tani që Timbuktu është i sigurt, trupat pritet të përqendrohen në bastionin e fundit të rebelëve, Kidalin.

Ndërkohë, konferenca e donatorëve ka hapur punimet në kryeqytetin e Etiopisë, Adis Ababa. Unioni Afrikan, që sapo ka mbyllur një samit të mbajtur po në këtë qytet, shpreson se konferenca do të shërbejë në mbledhjen e fondeve për një forcë shumëkombëshe për të luftuar rebelët.

Gjithashtu, gjatë së martës një konferencë do të mbahet në Bruksel për të vendosur mbi dërgimin e trupave evropiane në Mali për një mision trajnimi. Britania ka deklaruar ndërkohë se do të kontribuojë në këtë mision.

Më herët gjatë së hënës rreth 1 mijë ushtarë francezë, përfshirë ata të divizionit të parashutistëve, dhe 200 trupa vendase morën nën kontroll aeroportin e Timbuktusë dhe depërtuan në qytet.

Koloneli Frederic Gout, drejtues i operacioneve ajrore, tha për agjencinë “AFP”: “Gjatë operacionit nuk u qëllua asnjë plumb dhe nuk u derdh asnjë pikë gjak. Gjithashtu, nuk pati asnjë rezistencë”.

Duke mirëpritur trupat aleate, banorët thanë se militantët ishin larguar që disa ditë më parë, pas sulmeve ajrore franceze ndaj bazave të tyre.

Teksa tërhiqeshin drejt shkretëtirës, guerrilasit islamikë i vunë zjarrin një seri ndërtesash, përfshirë një bibliotekë që mbante dorëshkrime të shekullit të 13-të.

Top Channel