
Kina ka ndërmend të evitojë testin bërthamor të radhës të paralajmëruar
nga ana e Koresë së Veriut, duke shqyrtuar edhe dërgimin e funksionarëve
të saj në Penian.
“Pekini po shqyrton një gamë të gjerë masash për të shmangur që Koreja e Veriut të kryejë eksperimentin atomik, përfshirë këtu dërgimin e një delegacioni”, shkruan e përditshmja koreano-jugore “Chosun Ilbo”.
Por jo vetëm kaq, Pekini ka nisur gjithashtu të shqyrtojë përgjigje të mundshme kundër aleatit në rast se ky i fundit vazhdon me planet e tij, shton gazeta.
Më herët gjatë muajit Koreja e Veriut njoftoi se po vazhdonte planet e saj për një test të ri të tretë bërthamor, dy ditë pasi një rezolutë e Këshillit të Sigurimit në OKB ndëshkoi lëshimin e raketës së fundit të Koresë së Veriut.
Në një deklaratë të lëshuar nga agjencia e lajmeve “KCNA”, drejtuesit më të lartë ushtarakë të vendit bënë të ditur se do të mbanin teste bërthamore të nivelit të lartë, ndërkohë që lëshimi i një rakete me rreze të gjatë mund të ketë për objektiv goditjen e SHBA-ve.
Deklarata nuk jepte informacione mbi periudhën e mbajtjes së testimeve, ndërkohë që Koreja e Veriut ka zhvilluar dy teste më të hershme nukleare në vitet 2006 dhe 2009.
“Ne nuk jemi duke fshehur faktin që disa raketa të ndryshme me rreze të gjatë dhe satelitë që po lëshojmë, si dhe testimet e niveleve të larta bërthamore që do të zhvillojmë, kanë për objektiv Shtetet e Bashkuara”, thanë burime nga Komisioni i Mbrojtjes Kombëtare.
Top Channel