Google ka publikuar informacione në hartë për Korenë e Veriut, një vend i cili ka qenë deri më tani bosh (pa informacione) në faqen e mbipopulluar të hartave “Google Maps”.
Të dhënat janë përpiluar nga mjeti “Map Maker” (Krijuesi i Hartave) i Google, që lejon njerëzit e zakonshëm të kontribuojnë me informacione, kryesisht duke përdorur imazhe satelitore, apo njohuritë lokale.
Të dhënat në hartë nuk kanë qenë gjerësisht të disponueshme për vendin komunist, i cili përpiqet të qëndrojë larg shoqërisë së vendeve të huaja.
I lançuar më 2008, “Krijuesi i Hartave” është bërë pjesë e “Google Maps” për shumë vende, përfshi këtu dhe Irakun e Afganistanin.
“Kjo përpjekje ka qenë aktive në Map Maker prej disa vitesh, por sot harta e re e Koresë së Veriut është gati dhe e disponueshme në Google Maps”, tha Jayanth Mysore, kryemenaxheri i produktit në Google Map Maker.
“Si rezultat, bota mund të ketë akses në hartën e Koresë së Veriut, që ofron më shumë informacione dhe detaje, se sa kohë më parë”.
Lëvizja vjen pak kohë, pas vizitës private humanitare në Korenë e Veriut nga shefi ekzekutiv i Google, Eric Schmidt. Në rastin e Koresë së Veriut, imazhet satelitore, jo njohuritë lokale, kanë qenë burimi kryesor i të dhënave. Banorët e këtij vendi komunist nuk kanë akses në Google.
Google bëri të ditur se një numër i madh banorësh të Koresë së Jugut kanë kontribuuar me informacione, për të krijuar dhe për ta bërë të përdorshme hartën e Koresë së Veriut.
“Ndërkohë që shumë njerëz, kudo në botë, janë “hipnotizuar” me Korenë e Veriut, këto harta janë veçanërisht të rëndësishme për qytetarët e Koresë së Jugut, që kanë ende lidhje stërgjyshore apo familjarë, që jetojnë atje”, tha Mysore.
Gjithsesi, ka edhe një kontribues tjetër, nga Australia, i cili nuk flet gjuhën e koreanëve. “Doja të shkojë në Korenë e Veriut, sepse nuk kisha asnjë informacion për atë vend. Kështu që vendosa të bëja disa foto, në këtë mënyrë mund të shoh se sa e thjeshtë është të udhëtosh në atë vend”, tha Sebastiaan van Oyen, i cili punon si një menaxher risku për një firmë financiare tregtare në Sydney.
Top Channel