
Protestat dhe dhuna kanë vazhduar gjatë natës në Egjipt, me mijëra
banorë që kanë sfiduar armëpushimin e vendosur nga presidenti Mohammed
Morsi.
Manifestime u zhvilluan në qytetet Port Said, Ismailia dhe Suez pasi u errësua, pavarësisht armëpushimit dhe gjendjes së jashtëzakonshme të përkohshme.
Disa dhjetëra persona janë vrarë në pesë ditë protestash të dhunshme, ndërsa apeli i zotit Morsi për dialog kombëtar është refuzuar nga kundërshtarët politikë.
Ai i kishte bërë thirrje liderëve të opozitës që të merrnin pjesë në një takim mbrëmjen e së hënës, në përpjekje për të qetësuar situatën, por vetëm islamikët e rreshtuar përkrah presidentit u paraqitën.
Protestat e fundit në qytetet përgjatë kanalit të Suezit u shkaktuan nga dënimi me vdekje të dhënë nga gjykata ndaj 21 tifozëve të futbollit të përfshirë në një incident masiv gjatë një ndeshjeje rreth një vit më parë.
Shumë egjiptianë kundërshtuan autoritetin e presidentit duke pushtuar rrugët, në ditën e 2-vjetorit të nisjes së revolucionit që rrëzoi nga pushteti Hosni Mubarak.
Me vdekjet e regjistruara ditën e hënë shkon në 50 ose 60 vetë numri i viktimave që kanë humbur jetën në përplasjen me forcat e sigurisë që prej së enjtes së kaluar.
Më herët, agjencia e lajmeve “Mena” raportoi për 6 të vdekur në Port Said, ndërkohë që në të njëjtin qytet u mbajt varrimi për tre persona të vrarë ditën e diel.
Top Channel