Zvicra e dinte për krimet ndaj hebrenjve

28/01/2013 00:00

Zvicra kishte dijeni për krimet e kryera nga nazistët ndaj hebrenjve, megjithatë gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, zgjodhi të mbyllë kufijtë duke mos lejuar këta të gjenin strehë në territorin e saj, pavarësisht fatit që i priste.

Kështu dëshmohet nëpërmjet dokumenteve të reja të kohës, të papublikuara më parë. Në to thuhet se udhëheqësit zviceranë në ato vite, mbyllën kufijtë në gusht të 1942-shit për të gjithë hebrenjtë që kërkonin të largoheshin nga Gjermania naziste ku po përndiqeshin.

Mbyllja e këtyre kufijve bëri që shumë hebrenj të binin në duart e nazistëve dhe pjesa më e madhe e tyre përfundoi në kampe përqendrime ku edhe u ekzekutuan.

Televizioni zviceran, SRF publikoi qindra letra, telegrame, raporte dhe fotografi të diplomatëve helvetë të asaj kohe dhe në disa prej tyre paralajmërohet shfarosja e hebrenjëve. Megjithatë, këto shqetësime nuk mposhtën dot presionin e Berlinit ndaj Bernës për të mos pranuar hebrenjtë në territorin e saj.

Publikimi i këtyre dokumenteve të reja u bë në ditën botërore “Shoah”, që përkujton krimet ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Top Channel