Është vlerësuar si mjeshtri i fundit i sazeve dhe një nga krijuesit kryesorë të muzikës popullore qytetare. Laver Bariu, natyrshëm shndërroi klarinetën klasike në një gërnetë popullore.
Mes nostalgjisë së lavdisë së dikurshme dhe një dite të zakonshme, të hënën, emisioni i “Pasdites” në “TCH” udhëtoi për të takuar usta Laverin.
E gjejmë aty ku prej vitesh është kthyer në vendin e preferuar te njeriut që i dha jetë vajeve e gëzimeve familjare, në kafenene e tij të preferuar, në qytetin e vogël të Përmetit
“Tani jam këtu, një raki dhe një kafe. Shtëpinë e kam afër”, fjalët e para të mjeshtrit të moshuar.
Ai ulet çdo dite ne të njëjtën tavolinë. “Kjo është tavolina e Laverit. E do kafenë gati, direkt kamarieria t’ia cojë në mëngjes. Për ne është një nder që vjen këtu dhe kur gabimisht ulet ndonjë klient, i themi se ai vend është i ustait”, shprehet kamarierja.
I renduar nga ana shendetsore, me peshen e viteve mbi supe, një ditë e mjeshtrit të kabave sot eshte fare e zakonshme, me shume pak aktivitet. Keshtu na thote Nadireja, nusja e djalit te Laverit: “Shumë orë do të rijë vetëm, të shohë televizor. Jam shumë i lodhur nga jeta thotë”.
Atij i mungojne kohet kur mund të shëtiste. “Dikur, nuk kam lënë vend pa shkuar, hidhesha përtej, kaloja lumin e tani me zor lëviz”, thotë Laveri.
Por, më shumë e djeg malli për kohën kur luante në klarinetë, periudhë që tani i duket shumë e largët. Vazhdimisht i drejtohet sikur ajo mund ta dëgjojë e ti përgjigjet.
Ka ndjeshmërinë e një fëmije kur i flet për klarinetën. “Nuk e prek dot sepse do të qaj patjetër. E lë në shtëpi, e marr e puth dhe e lë. Më ka mbajtur gjallë klarineta”, thotë mjeshtri.
I duhet te mjaftohet vetëm duke e parë e përkëdhelur pasi duart e mushkëria nuk i përgjigjen si do të dëshironte.
“Jo, jo nuk i bie dot, me jane shtremberuar buzet, nuk kam fuqi. Kam punuar me mushkeri gjithe jeten, i kam bere mushkerite, i kam grire mushkeritë”, shton Bariu.
Ai ishte një artist që fliste me tinguj e me plastikën karakteristike të portretit te tij. Argetonte te tjerët dhe shijonte çdo çast kur ishte me klarinetë në dorë.
Janë të panumërta dasmat në të cilat ka kënduar e i ka rënë klarinetës. Vështirë të këtë një vend në Shqipëri ku ai nuk ka qenë. Është pëlqyer e duartrokitur në vende që mendohet se nuk e pëlqejnë muzikën tradicionale.
“Nuk kam lënë vend pa shkuar në Shqipëri, por edhe Norvegji, Suedi, Danimarkë, në vende të tjera në Europë, kam qenë gjithandej”, kujton ustai.
I jane ofruar të gjitha mundësitë për të jetuar diku tjetër larg Përmetit në një qytet tjetër të Shqipërisë apo jashtë ku vlerësimi material do të ishte më i madh, por ai nuk e ka menduar asnjëherë këtë gjë.
Ai e do Përmetin pavarësisht se fëmijërinë e adoleshencën e kaloi në qytetin e Korçës kur ra dhe në kontakt me veglën muzikore. Por, nga ana tjetër edhe qytetarët e Përmetit e duan dhe e respektojnë mjeshtrin.
“Aty ku ishte laveri ishte atmosfera eshte shpirti i muzikes se jugut”, të thonë në Përmet.
Ai është shpallur “Qytetar nderi” i Përmetit, si dhe është dekoruar “Mjeshtër i madh i punës”.
Po a do të ketë nje tjeter Laver Bariu? Ai është munduar ta trashëgojë, por faktet janë kokëforta dhe ai i bindur në përgjigjen prej gjeniu që kthen pa modesti.
“Si Laveri nuk do të bëhet njeri. Kush më mësoi mua? Asnjë notë nuk di, por vetëm praktika”, thotë Bariu.
Soljani ishte i përzgjedhuri, nipi i tij i cili kishte talentin dhe shkathtësinë të rrëmbente vëmendjen e publikut, por u nda nga jeta në një aksident tragjik. Është një ndër dhimbjet që do ta mbajë për vete, nuk do ta ndajë me askënd.
“Ai më ngjante mua. Do të ishte një Laver i thotë”, thotë i përlotur mjeshtëri.
Pengu me i madh, i cili e mban peshe ne vite te pleqerise është pamundesia per te ofruar nga muzika e tij.
“Ç’ti bëj që gërnetën e kam lënë mbërthyer. Sikur t’i bija dhe një herë klarinetës, pa le të shkoj e të vdes i ngopur”, thotë Laveri.
Top Channel