
Këshilli i Sigurisë në OKB ka miratuar një rezolutë, që nxit vendet të ndalin pagesat për lirimin e pengjeve ndaj grupeve terroriste. Rezoluta, e hartuar nga Britania e Madhe, synon të shtojë presionin ndaj qeverive.
Ambasadori britanik në OKB tha se grupet e lidhura me al-Qaeda-n kanë mbledhur të paktën 105 milionë dollarë prej shpërblimeve të marra për lirimin e pengjeve, në afro 3 vjet e gjysmë.
Rezoluta nuk përfshin detyrime të reja ligjore, teksa tashmë shteteve u kërkohet të mos paguajnë shpërblime për pengjet bazuar mbi marrëveshjen e miratuar në vitin 2001. Ajo kaloi me votim unanim në Këshillin e Sigurisë prej 15 anëtarësh, ditën e hënë.
“Kemi përllogaritur se gjatë 3 viteve e gjysmë, grupet e lidhura me al-Qaeda-n apo ekstremistë islamik të tjerë kanë mbledhur të paktën 105 milionë dollarë”, tha për reporterët ambasadori britanik në OKB, Mark Lyall Grant, pas votimit.
“Ndaj është e domosdoshme, që të ndërmarrim hapa për t’u siguruar se pengmarrja për shpërblesa nuk do të jetë më një proces i perceptuar si një model biznesi fitimprurës, si dhe të eliminojmë këtë mundësi si një burim financimi për terroristët, – shtoi ai. – Duhet ta prishim këtë cikël”.
Zyrtarët britanik besojnë se numri i pengmarrjeve terroriste në vende si Siria, Jemeni dhe Nigeria, janë duke u rritur së tepërmi, ashtu sikurse dhe grupet që bëjnë këtë punë.
Disa qeveri dyshohen se kanë paguar shpërblime ndaj grupeve të militantëve gjatë viteve të fundit.
Samantha Power, ambasadore amerikane në OKB, tha se pengmarrësit që kërkojnë shpërblime “kanë arritur të bëjnë edhe dallimin mes atyre qeverive, që ofrojnë shpërblime, dhe atyre që nuk e bëjnë këtë gjë”.
Ata kanë arritur në pikën që “nuk ndërmarrin” pengje nga ato vende, të cilat refuzojnë të bëjnë lëshime, shtoi Power.
Top Channel