
Forcat meksikane të sigurisë kanë arrestuar një nga bosët më të kërkuar të drogës në vend, kanë njoftuar autoritetet lokale.
Dionicio Loya Plancarte, i njohur ndryshe me pseudonimin El Tio (Xhaxhai), ishte një prej krerëve të kartelit Kalorësit Templarë që vepron në shtetin perëndimor të Mikoaçanit.
Qeveria kishte vendosur një shpërblim prej 2.2 milionë dollarësh mbi kokën e tij për krime të lidhura me trafikun e drogës dhe pastrimin e parave.
Trupa ushtarake u vendosën më herët gjatë muajit në Mikoaçan, pasi grupet e gardianëve, siç njihen ndryshe grupimet e qytetarëve të krijuara për të mbrojtur banorët nga krimi, u përleshën dhunshëm me anëtarët e kartelit.
Gardianët akuzojnë qeverinë se nuk bën sa duhet për të mbrojtur banorët nga zhvatja dhe dhuna. Të armatosur me armë të rënda, ata kanë detyruar Kalorësit Templarë që të largohen nga disa bastione në rajonin Tierra Kaliente.
Ushtria u dërgua për të rivendosur rendin dhe për të çarmatosur të ashtuquajturat forcat e vetëmbrojtjes. Sidoqoftë, shumë banorë kanë refuzuar të ulin armët derisa liderët e kartelit të jenë arrestuar.
Ministri i Brendshëm, Miguel Angel Osorio vlerësoi forcat e sigurisë për arrestimin e bosit Loya Plancarte. “Ai u arrestua falë punës së një grupi special dhe bashkëpunimit të agjencive federale, që tregoi se rezultatet mund të arrihen nëse vazhdohet të punohet kështu”, deklaroi Osorio.
Ndërsa për grupet e vetëmbrojtjes ai tha: “Nuk është dhuna mënyra e duhur për të ndaluar anëtarët e bandës. Kjo arrihet përmes punës institucionale të qeverisë meksikane, për të risjellë paqen mes popullit meksikan”.
Top Channel