
Ministria e Arsimit në Japoni ka deklaruar se po rishikon manualet e mësimdhënies për shkollat, me qëllim dhënien e informacionit për sovranitetin mbi ishujt e diskutuar në Detin e Kinës.
Ministri Hakubun Shimomura deklaroi se Japonia dëshiron t’u mësojë fëmijëve të saj për “pjesët integrale të territorit të saj”.
Territoret e diskutueshme përfshijnë ishujt në Detin Lindor të Kinës të kontrolluar nga Japonia, por të pretenduar edhe nga Kina dhe Korea e Jugut. Pretendimet kanë shkaktuar tensione mes Japonisë dhe dy vendeve të tjera aziatike.
Mësimet e reja janë aprovuar nga Ministria e Arsimit dhe do të futen në lëndët e historisë dhe gjeografisë në shkollat post-fillore dhe atë të mesme.
Në to do të thuhet se ishujt në Detin Lindor të Kinës, të njohur si Senkaku në Japoni dhe Diaoju në Kinë, si dhe ishujt Dokdo të kontrolluar nga Korea e Jugut dhe të njohur si Takeshima në Japoni, janë “pjesë integrale e territorit japonez”.
“Nga këndvështrimi i edukimit, është normale për një shtet t’u mësojë fëmijëve për pjesët integrale të territorit të tij”, deklaroi ministri Shimomura.
Ai shtoi se me bashkëpunimin e Ministrisë së Jashtme do të mundësohet shpjegimi i pozicionit të Japonisë kundrejt fqinjëve të saj aziatikë.
Korea e Jugut e ka kundërshtuar këtë lëvizje të qeverisë së Tokios duke cilësuar atë si “një çështje shumë serioze”, raporton agjencia e lajmeve “Yonhap”.
Top Channel