
Autoritetet në Hong Kong kanë nisur asgjesimin e rreth 20 mijë pulave pas zbulimit të gjurmëve të virusit H7N9 gjatë importit të tyre nga Kina.
Të gjitha pulat e nxjerra në një treg shumice ishin pozitive ndaj testit që u zhvillua, pas të cilit u vendos edhe asgjesimi i tyre, njoftuan autoritetet lokale.
Qeveria e ishullit ka ndaluar gjithashtu importin e pulave të gjalla nga toka mëmë për të paktën tre javë. Virusi H7N9 u zhvillua në fillim të vitit 2013, kur nga infektimi i shpendëve shtëpiakë, pulave dhe rosave, kaloi tek infektimi i njerëzve.
Në Kinë, ku janë zbuluar dhe shumica e rasteve, media shtetërore njoftoi se tregtimi i shpendëve të gjallë është ndaluar në tre qytete në provincën
Zhejiang, ku 12 persona kanë vdekur si pasojë e virusit vetëm këtë muaj. Ndërkohë, edhe në Shangai tregtia në fjalë do të ndërpritet duke filluar nga 31 janari për tre muaj rresht, saktëson media shtetërore.
Masat vijnë pasi Kina përgatitet të festojë Vitin e Ri Hënor, me qindra miliona njerëz që udhëtojnë në mbarë vendin për të kaluar festën me të afërmit. Shitjet e pulave të gjalla rriten përherë në prag të periudhës së pushimeve.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rastet e infektimit të njeriut nga virusi H7N9 janë verifikuar deri tani në Kinë, Hong Kong dhe Taivan. Gjithësej, që prej fillimit të vitit 2013, ka pasur rreth 200 raste, mbi 50 prej të cilave kanë rezultuar me vdekje.
Top Channel