Fjalimi i Obama-s në Kongres

28/01/2013 00:00

Për Papën Françesk, pasuria dhe pabarazia e të ardhurave janë një problem moral, zgjidhja e të cilit duhet konsideruar prioritet.

Ngushtimi i hendekut mes të kamurve dhe të varfërve do të përbëjë dhe boshtin e fjalimit të përvitshëm mbi gjendjen e vendit, që presidenti amerikan Barack Obama do të mbajë para Kongresit.

Deri më tani, përpjekjet e shefit të Shtëpisë së Bardhë, për t’i bindur ligjvënësit të miratojnë ngritjen e pagës minimale, kanë rezultuar të pasuksesshme.

Një vit pasi e lëshoi për herë të parë këtë apel në Kongres, Obama ka ndërmend ta përsërisë duke njoftuar madje edhe planet e nënshkrimit të një urdhri ekzekutiv mbi rritjen e kësaj page, për punonjësit e kompanive që nënshkruajnë kontrata të reja me qeverinë federale.

Sipas propozimit të Obama-s, nga 7,25 dollarë në orë, që është aktualisht paga minimale, do të shkojë në 10.10 dollarë. Urdhri ekzekutiv i firmosur nga presidenti i shërben nismës së tij për zbatimin e prioriteteve të veta pa miratimin e Kongresit.

Pikërisht fakti, që fjalimin e tij drejtuar kombit e ka përqendruar te pabarazia ekonomike, do ta kthejë këtë në një event të ndjekur me shumë vëmendje, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në pjesë të tjera të botës.

Pabarazia e të ardhurave është një çështje nevralgjike ndërkombëtare dhe po zë vend në axhendat e shumë figurave të spikatura të globit, jo vetëm politikanëve.

Pa bërë ende një vit në krye të kishës katolike, Françesku që tani e ka kritikuar ashpër idhujtarinë e shoqërive moderne për paratë.

Dhe, për të treguar se e kupton mbështetjen ndërkombëtare në rritje për këtë çështje, Shtëpia e Bardhë njoftoi javën e kaluar se në fund të Marsit presidenti do të udhëtojë drejt Vatikanit, e bisedimet me Atin e Shenjtë do të fokusohen tek angazhimi i përbashkët në luftën kundër varfërisë dhe pabarazisë nëpër botë.

Top Channel