Chavez rikuperohet nga infeksioni në mushkëri

28/01/2013 16:05

Presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez, është rikuperuar plotësisht nga një infeksion në rrugët e frymëmarrjes, që i rrezikoi jetën pas një ndërhyrje për heqjen e një mase tumorale në Kubë, muajin e shkuar.

Ishte Ministri i Informacionit, Ernesto Villegas, ai i cili bëri të ditur këtë zhvillim pozitiv të shëndetit të presidentit, në raportin e tij të përjavshëm mbi gjendjen e 58-vjeçarit.

Chavez, i cili drejton Venezuelën që prej vitit 1998, u prek nga një tumor në vitin 2011 dhe që prej atëherë ka bërë katër ndërhyrje dhe disa seanca kimio e radioterapie për t’u kuruar.

Për shkak të gjendjes delikate, pas një ndërhyrje në Kubë në dhjetor, Chavez nuk ishte në gjendje të bënte betimin, në marrjen e mandatit të ri, në janar 2013.

Aktualisht, presidenti është duke u rikuperuar nga operacioni që realizoi në Havanë, ndërhyrje pas të cilës ai rrezikoi seriozisht jetën pas prekjes nga një infeksion në rrugët e frymëmarrjes, që detyroi mjekët ta vendosnin nën frymëmarrje artificiale për disa ditë me radhë.

Megjithatë, gjendja e vërtetë mbi shëndetin e Chavezit dhe stadin në të cilin ndodhet tumori i tij mbahet sekret nga Venezuela.

Në deklaratat zyrtare, gjendja e presidentit konsiderohet si “e mirë” dhe ai vetë si “optimist, energjik dhe i paduruar” për rikthimin në krye të detyrës, por përpara nisjes në Kubë, Chavez pranoi për herë të parë se shanset e tij për mbijetesë nuk janë të sigurta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA