Brazili do të mbajë 3 ditë zi kombëtare për 233 personat që humbën jetën në një klub nate pas shpërthimit të zjarrit në qytetin Santa Maria, mbrëmjen e së shtunës.
Zjarri nisi nga performanca piroteknike në skenë e një grupi muzikor. Autoritetet braziliane theksojnë se shumica e viktimave ishin studentë, të cilët vdiqën të mbytur nga tymi.
Ky ka qenë zjarri më vdekjeprurës në vendin amerikano-latin që prej 5 dekadash.
Brazili shtyu një ceremoni festive që duhet të mbahej sot pasi duhen edhe 500 ditë nga nisja e Kupës së Botës që do të zhvillohet në këtë vend.
Presidentja Dilma Rousseff ndërpreu një vizitë në Kili dhe po viziton të mbijetuarit në spital.
Zyrtarët kanë nisur hetimin për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Mendohet se shumë prej viktimave nuk kanë mundur të largohen nga klubi pasi e vetmja dalje emergjence e tij ishte jo funksionale.
Top Channel