
I biri i kryeministres së vrarë të Pakistanit, Benazir Bhutto, u ka bërë thirrje autoriteteve të vendit që të ndërmarrin aksione ushtarake kundër grupeve militante.
Bilawal Bhutto deklaroi se politikanët duhet të “zgjohen” nga kërcënimet që përbëjnë grupet e armatosura si talebanët. Komentet ai i bëri në një intervistë për BBC, teksa qeveria po mban bisedime urgjente për të gjetur mënyrën e frenimit të dhunës.
Zoti Bhutto, 25-vjeç, po konsideron mundësinë e kandidimit në zgjedhjet e vitit 2018. Gjatë intervistës për rrjetin informativ britanik, ai tha gjithashtu se Pakistani i ka ezauruar opsionet e bisedimeve me militantët dhe se tani duhet të ndërmerret aksion ushtarak.
“Dialogu është gjithmonë opsioni kryesor, por tani duhet të zgjedhim opsionin e forcës. Çfarë qëndrimi do të mbajmë në këtë rast? Do t’i mundim në fushën e betejës, ata na kanë shpallur luftë”, deklaroi Bhutto.
Asambleja Kombëtare e Pakistanit është mbledhur për të diskutuar përgjigjen ndaj një seri sulmesh të kryera së fundmi që mbajnë firmën e militantëve, përfshirë këtu një sulm ndaj një autokolone ushtarake më herët gjatë muajit.
Sesioni i së hënës i Asamblesë përfundoi pa një vendim, për shkak të qëndrimeve kundër në lidhje me mbajtjen e bisedimeve me talebanët, opsion për të cilin qeveria është në favor.
Zoti Bhutto tha më tej për BBC se vrasja e nënës së tij në vitin 2007 “duhet të zgjojë të gjithë vendin”, por shtoi se politikanët pakistanezë i kanë hedhur poshtë mundësitë e konsensusit duke menduar se Shtetet e Bashkuara do të luftojnë talebanët për ta.
Top Channel