Berlusconi: Mussolini, një lider i madh

28/01/2013 15:50

Kandidati për t’u rikthyer në pozicionin e Kryeministrit të Italisë, Silvio Berlusconi, ngjalli polemika kombëtare, pasi përgëzoi ish-diktatorin Benito Mussolini, në ditën përkujtimore të Holokaustit në Itali.

Në një ceremoni përkujtimore në nder të viktimave në Milano, ditën e hënë, Berlusconi tha se “Duçja” kishte gabuar me ligjet e tij të diskriminimit racor dhe nenet e adresuara veçanërisht ndaj hebrenjve, por se në total, “ai mbetet një lider i madh”.

”Qeveria e Mussolinit, në kohën që jetoi, duke u frikësuar nga një fitore e plotë e Gjermanisë, duke përllogaritur pasojat e mundshme për popullin italian, vendosi që të rreshtohej midis aleatëve të gjermanëve dhe jo kundërshtarëve. Ligjet racore ishin gabimi më i madh i Mussolinit si lider, por ai bëri gjëra të mëdha për vendin në shumë drejtime të tjera”, deklaroi 76-vjeçari Berlusconi.

Tre herë ish-Kryeministër i Italisë dhe drejtues i partisë më të madhe të djathtë në vend, Berlusconi dha dorëheqjen në nëntor 2011, pasi nuk arriti të siguronte vota të mjaftueshme për të kaluar buxhetin në Parlament.

Që prej atëherë, Italia drejtohet nga Mario Monti. Megjithatë, Berlusconi vendosi që të rikthehej në garë për një mandat të ri në krye të vendit, në zgjedhjet që do të zhvillohen në fund të shkurtit.

Mussolini, i cili drejtoi Italinë nga viti 1922-43 dhe më pas edhe gjatë 1944-s, deri në kapjen dhe ekzekutimin prej partizanëve italianë, konsiderohet nga historia si diktatori që renditi Italinë mes humbësve të Luftës së Dytë Botërore, duke shkaktuar shumë vuajtje, dëme dhe humbje në njerëz.

Si kryeministër i kohës dhe drejtues i Partisë Fashiste Italiane, “Duçja” ishte edhe “arkitekti” i pushtimit të Shqipërisë së pavarur, në 7 prill 1939, deri në kapitullimin e Italisë në shtator 1943 (pushtimi italian u zëvendësua nga ai gjerman deri në 29 nëntor 1944).

Berlusconi është përfshirë në një seri “gafash” edhe në të shkuarën. Ai ngjalli tërbimin kinez kur tha se ish-lideri komunist Mao Zedong përdorte foshnje të ziera si fertilizues për tokën, si dhe pakënaqësinë amerikane dhe britanike kur sugjeroi në të shkuarën se “Obama kishte marrë ngjyrë nga dielli” dhe kur i kërkoi Mbretëreshës të ulte tonin e zërit në një bisedë telefonike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA