Aleksandër Çipa – Zgjedhjet mbrohen duke mos u vjedhur vota.
Kjo është një bindje e shumicës së qytetarëve të papërfshirë në lëvizjet partiako-elektorale në vend. Kjo bindje rezulton si e tillë, jo për shkak të sigurisë se i tillë do të jetë procesi i 23 qershorit të 2013-s, por për shkak të drojës për ripërsëritje të historisë vjedhore të zgjedhjeve. Debatet e deritanishme pozitë-opozitë për ndarjet e mandateve dhe polemika publike në media për këtë çështje, në thelb zbulon dyshimin opozitar dhe mekanizmin e sofistikuar pozitar për vijim apo një kapitull të ri vjedhor të zgjedhjeve.
Kjo histori vijuese është e rrezikshme. E tillë ka qenë në të gjithë kapitujt e ndodhur të saj përgjatë tranzicionit postkomunist 22-vjeçar. Por në rastin e qershorit në ardhje, ky kapitull bëhet edhe më i rrezikshëm për shumë arsye të lidhura me një realitet kompleks dhe një gjendje social-ekonomike edhe më komplekse. Në debatet dhe polemikat politike të opozitës dhe pozitës, tashmë pranohet kriza ekonomike. Muaj më parë, për këtë çështje, ndarja ishte dieametralisht e kundërt. Por tashmë, kur administrata publike po përjeton një varfërim në çdo nevojë funksionale të saj, deri edhe tek mjetet kancelerike, kur shteti po shndërrohet në një hallexhi të madh borxhesh, kur pagat e punonjësve kanë nisur të shtyhen dhe vonohen si në kohën e qeverisë së Adil Çarçanit (siç thonë ata ish-nëpunës), dhe kur këtë krizë e pranon edhe ministri më jetëgjatë i Financave shqiptare, zoti Bode, daullet bien më keq për të ardhmen. Nuk ka miting apo britmë politike që ta mbulojë realitetin e “zhdukjes së lekut” dhe atë të rishfaqjes së gropave nëpër segmentet rrugore në skaje të ndryshme të vendit, por fatkeqësisht, edhe nëpër rrugicat e ish-Bllokut në kryeqytet. Kjo është e dukshmja që tradhton, qoftë edhe si fasadë, optimizmin dhe krenimin kryeministror. Matanë kësaj gjendjeje, është rreziku që pason me gjendje më të përkeqësuar.
Por fjala është te zgjedhjet e pritshme dhe tek alarmi publik që jep opozita, përmes betimit se do të mbrojë votën dhe individë të shoqërisë civile që po analizojnë shenjat e para të tendencës manipuluese apo të rishfaqjes së mekanizmit për vjedhjen e votës.
Në këtë polemikë të vjetër shqiptare, është thelbi i realitetit të vjetër, ai i historisë vjedhore të zgjedhjeve. Parandalimin dhe denoncimin e fortë të këtij mekanizmi, mundësisht dhe lehtësisht të ripërdorshëm, nuk duhet ta bëjë opozita, por së pari qytetaria e vendit.
Nëse ka një moment që nevojitet ndërhyrja dhe shprehja e inteligjencies së vendit, ky i tanishmi, është më i vlefshmi dhe më i domosdoshmi. Në këtë vend, tranzicioni nuk tejzgjatet më prej modelit apo tinzarllëkut të qeverisësve, por prej cilësisë së proceseve zgjedhore të realizuara në këta 22 vjet. Tranzicioni ynë buron prej degradimit të demokracisë, prej çmontimit të kritereve dhe standardeve të demokracisë dhe prej defaktorizimit të ligjit dhe sidomos prej zhvleftësimit të ligjit themeltar, Kushtetutës.
Kultura qeverisëse, duke mos qenë kulturë, por veçse një mentalitet kapës dhe mosndëshkues, na ka lënë në derë ne qytetarëve aktualë të këtij vendi, dhe sidomos fatkeqësisht edhe pasardhësve tanë, një model të anarkizmit dhe të parashoqërisë moderne. Premisa dhe konvencioni i jetëzgjatjes së tranzicionit është pikërisht mekanizmi tranzicional i zgjedhjeve të përçudnuara, ose i historisë vjedhore të votave.
Pas këtij mekanizmi, rezultati që del, nuk është vetëm përfaqësimi i deformuar apo tribal, por më së shumti përfaqësimi që sundon dhe për regjim, instalon korrupsionin. Në mediat online dhe në ato të printuara një ditë më parë, dr. Adem Harxhi, një mjek që prej vitesh militon për edukatën seksuale të shoqërisë së hapur, botonte shkrimin “Intelektualët”, i cili, në këndvështrimin tim, ka vlerën dhe peshën specifike të një kumti pamfletik. U drejtohet sivëllezërve profesionalë të tij, për të mos u pozicionuar në ndarjen e njohur mes atyre që firmosën një peticion kolektivist të nëpunësisë, në të cilin kërkohet votimi opozitar i tri ligjeve që pozita pretendon se bllokojnë statusin e kandidatit për në BE të Shqipërisë. Shkrimi në fjalë i dr. Harxhit u bën sfidë peticionistëve të nëpunësisë dhe inteligjencies shqiptare, jo përmes polemikës për firmën, por me pyetjet për kontrastin mes mjekësisë publike në Shqipëri dhe asaj publike në Europë. Rasti i peticionit kolektivist nuk duhet interpretuar për solidaritetin që i ofrohet qeverisë apo shumicës parlamentare për nevojën e votave opozitare, por për ekspozimin e bindshmërisë kolkoziste që dëshmon inteligjencia ose më mirë nëpunësia publike shqiptare. Këto peticione të ngjashme me nënshkrimet e dikurshme në prag të viteve ‘90-të, të peticioneve të ish- Bashkimeve Profesionale apo me deklarimet puniste në solidaritet me ish-nomenklaturën, risjellin në skenën shoqërore ripërsëritjen e fenomenit të nënshtrimit dhe bindshmërisë ndaj autoritarizmit qeverisës. Kjo reminishencë na varros demokracinë dhe fatkeqësia është se varrimi ndodh në kohën kur qeverisja ka lodhur themeluesit e saj. Ikja prej kësaj bindshmërie mjerane dhe mospërdorimi kolektivist për motive dhe shërbesa elektorale është një nevojë me peshë dhe vlerë kapitale. Qeverisja e zotit Berisha është sot në gjendje të rëndë, jo se e thotë opozita, por se e konstaton dhe përjeton në lëkurën e vet çdo qytetar. Përkeqësimi ka dalë nga kontrolli. Tentativat ndalëse të tij, duken plotësisht të pamjaftueshme, ndërsa “timonieri” qeverisës, Kryeministri Berisha, po atakohet nga gjithë opozitarizmi i vendit për rikthim në mekanizmin që riciklon historinë vjedhore të zgjedhjeve. Ky riciklim nuk ka rrezik konfliktin politik të ardhëm, por shumë e shumë rreziqe të tjera. Pista e platformës apo strategjisë nacionaliste, në të cilën po udhëton gjatë këtyre ditëve elektorale, mbart në thelb rrezikun etnocidist që realizohet nga shndërrimi i shumicave numerike në raport me pakicat numerike. Kjo rrezikon të ngjasë, pasi në këtë konkurrim elektoral, jo vetëm me opozitën e Edi Ramës, por me qytetarinë opozitare, zoti Berisha tashmë është qartësisht i paplotë. Duke qenë i tillë, ai po hyn në betejën zgjedhore të vitit 2013 me peshën e mëkatësisë më të rëndë se çdo energji dhe optimizëm që mund të fitojë apo injektojë artificialisht në formë koalicioni apo në pamje ushtrie.
Në këto kushte, rikthimi tek mekanizmi manipulues apo ai i forcës nuk është kurrsesi një triumf, por vetëm një plagjiaturë vetveteje, e cila si e tillë, ndëshkon vetëm plagjiakun dhe jo atë që vidhet. Kësaj here, historia vjedhore e zgjedhjeve ekzekuton politikisht vjedhësin.
Top Channel