Vlorë, aksident, plagosen 9 persona

26/01/2013 19:55

Të paktën 9 persona u plagosën në një aksident që ndodhi pasditen e së shtunës në një nga lagjet e qytetit të Vlorës. Policia tha se në këtë aksident u përfshinë dy furgonë me 16 pasagjerë.

Në njërin prej tyre ndodheshin punonjës të kompanisë CEZ, të cilët po ktheheshin nga fshati Oshëtimë, ndërsa furgoni tjetër transportonte mallra.

Policia tha se shkak i aksidentit ishte mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor dhe shpejtësia mbi normat e lejuara.

Për fat të mirë në këtë rast nuk pati viktima, ndryshe nga aksidenti i dy ditëve më parë në aksin Elbasan-Librazhd, ku dy persona gjetën vdekjen në vendin e quajtur Kryqëzimi i Babjes.

Mjeti me targa “AA 582 FC” u përplas me një maune me targa maqedonase dhe për pasojë një prej personave mbeti i vdekur në vend, ndërsa tjetri ndërroi jetë në spitalin e Librazhdit.

Ndërkohë, dy persona të plagosur u dërguan në të njëjtin spitalin në gjendje të rëndë dhe pak më vonë u dërguan për në Spitalin Ushtarak në Tiranë.

Nga të dhënat e para rezultoi se aksidenti ishte shkatuar nga shpejtësia e mjeteve dhe lagështira në rrugë. Policia shoqëroi drejtuesin e maunes, shtetasin maqedonas Peco Stojanovski.

Ky ishte aksidenti i parë me pasoja tragjike për vitin 2013 në qarkun e Elbasanit. Një vit më parë në këtë qark u shënuan 109 aksidente me 29 të vdekur.

Ndërsa në fillim të javës një grua humbi jetën në një aksident në Lezhë, pasi u përplas nga një makinë në ecje e sipër.

50-vjeçarja Nushe Alia ishte duke kaluar nga njëra anë e rrugës në tjetrën, në hyrje të qytetit, kur një automjet e përplasi duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA