Terzi telefonon Panaritin: Kujdes me Preshevën!

26/01/2013 00:00

Roma zyrtare, vendi i të cilit ka kryesinë e radhës së OSBE-së dhe
patronazhit politik nga Europa për Ballkanin Perëndimor, i ka kërkuar
Tiranës zyrtare të moderojë tonet dhe të kontribuojë për qetësimin e
situatës së acaruar nga heqja e lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë,shefi i
diplomacisë italiane, Guglio Terzi, ka telefonuar homologun e tij
shqiptar, Edmond Panariti, për të diskutuar për acarimin e marrëdhënieve
ndërmjet Tiranës së Beogradit, gjë e cila mund të minojë dialogun e
saponisur me shumë mundim nga Brukseli ndërmjet krerëve të Kosovës dhe
atyre të Serbisë.

Ndërkohë që pritet të zhvillohet takimi ndërmjet Presidentit serb, Tomislav Nikoliç, dhe kreut të shtetit të Kosovës, Atifete Jahjaga, Bashkimi Europian është i shqetësuar në precipitimin e ngjarjeve në trojet shqiptare dhe reperkusionet që mund të sjellin në kthimin prapa të situatës. Ndaj, shefi i diplomacisë italiane, Guglio Terzi, ka telefonuar homologun e tij, Edmond Panariti dhe ka bërë të ditur se duhet që Tirana zyrtare të ndikojë në qendrat e tjera politikbërëse shqiptare në rajon që të ulin tonet. Në fakt, bisedën telefonike mes sy ministrave të Jashtëm e ka bërë të ditur edhe zyra e shtypit e MPJ-së. Në këtë njoftim, theksohet se “Të dy ministrat diskutuan rreth situatës në Luginën e Preshevës dhe ndanë mendime lidhur gjetjen e rrugëve për zgjidhjen e problemeve në këtë vend.

Ministri Panariti argumentoi këndvështrimin dhe reagimet përkatëse të autoriteteve shqiptare në lidhje me këto zhvillime. Ai i vlerësoi si të papranueshme cilësimet, nga autoritetet më të larta serbe, të popullsisë shqiptare si elementë terroristë, të cilat dëmtojnë drejtpërdrejtë dialogun, mirëkuptimin dhe integrimin e plotë të pakicës shqiptare në jetën politike, ekonomike dhe sociale në Serbi. Njëkohësisht, ministri Panariti, ka theksuar se qeveria shqiptare vazhdon të ruajë konstanten e qëndrimit të saj konstruktiv në rajon, e në këtë kontekst mbetet e angazhuar për të zhvilluar marrëdhëniet me Republikën e Serbisë në interes të të dy popujve, sikurse ka pritshmërinë legjitime që kjo frymë të reciprokohet nga qeveria serbe. Ai nënvizoi, se rruga e dialogut, shmangia e fjalorëve nacionaliste që nxisin konflikte dhe shmangia e veprimeve të njëanshme janë mënyrat e vetme për zgjidhjen e problemeve dhe zhvillimet normale”. Prej ditësh ka pasur takime të përfaqësuesve të Romës zyrtare dhe Tiranës për t’u tërhequr nga pozicionet ekstreme të qeverisë shqiptare, të cilat në reaksion zinxhir kanë prodhuar shqetësime në Prishtinë, Preshevë apo dhe Tetovë. Por gjithçka është bërë para manifestimit që sot pritet të zhvillohet në Prishtinë në përkrahje të Preshevës.

Gazeta “Shqip”

Top Channel