Microsoft nën akuzë për shkelje të privatësisë

25/01/2013 00:00

Microsoft është vendosur nën presion për të bërë publike të dhënat se si ruhen informacionet konfidenciale të përdoruesve të Skype.

Bërja publike është kërkuar nga 45 shoqata përfshirë këtu edhe nga “Reporterët pa Kufij”, me anë të një letër-kërkese të depozituar në zyrat qendrore të Microsoft. Vetë kompania e Bill Gates njoftoi se po shqyrton kërkesën e marrë.

“Ne jemi duke shqyrtuar kërkesën. Microsoft bashkëpunon dhe është i gatshëm të forcojë këtë bashkëpunim me aktivistët, partnerët tanë dhe qeveritë në gjithë botën për të ndihmuar në mbrojtjen e privatësisë dhe sigurisë në internet”, deklaroi një zëdhënës i Microsoft.

Më shumë se 600 milion njerëz përdorin Skype për telefonata audivizuale por edhe për mesazhe me tekste. Ky numër është vazhdimisht në rritje po të kihet parasysh edhe nisma e papërfunduar e Microsoft që po transferon të gjithë përdoruesit e Windows Live Messenger drejt Skype.

Top Channel