Argita Malltezi akuza Ramës, reagon Braçe

25/01/2013 00:00

Vajza e kryeministrit Sali Berisha, Argita Malltezi ka reaguar pas
akuzave të Partisë Socialiste në lidhje me pasurinë e saj dhe implikimin
në afera me biznesmenin pakistanez Ansar.

Përmes një deklarate për shtyp, vajza e kreut të qeverisë akuzoi kreun PS, Edi Rama se kërkon të shpëtojë si i mbyturi që kërkon të kapet pas fijes së barit, duke u përpjekur të fshehë shkeljet e tij ligjore me akuza dhe shpifje ndaj saj.

Më tej Malltezi i bëri thirrje kreut të PS që të bëjë transparencë lidhur me burimin e 100 milionë lekëve kredi pa interes të bashkëshortes së tij si dhe arsyen e çmimit qesharak prej 2 dollarësh me të cilin ka blerë tokën e shtëpisë që po ndërton në Dajt.

“Ti sulmon pse u kam deklaruar me transparencë të interesuarve çmimin e tokës me të cilin e shisnin pronarët privatë. Të kujtoj që transparenca është standard ligjor dhe moral të cilin duhet të gjesh kurajën ta zbatosh dhe ti, për të deklaruar para shqiptarëve burimin e 100 milionë lekëve kredi pa interes të gruas suaj si dhe arsyen e çmimit qesharak prej 2 dollarësh me të cilin keni blerë tokën e sarajeve me gjatësi 57 m linear që po ndërton në Dajt, ndërkohë që disa vite më parë çmimi edhe në zona më të thella ka qenë dhjetë herë më i lartë”, përfundon deklarata e Argita Malltezit.

Një përgjigje për këtë deklaratë deputeti i PS-së, Erion Braçe, i cili theksoi se Argita u shmanget përgjigjeve për tokën e Portoromanos dhe vilat dhe apartamentet e saj falas. “Toka e vlerësuar në miliona euro që ju donit t’i shisnit zotit Ansar, e kujt ishte? A ishte e juaja? A ishte e tjetërkujt, apo e klientit tuaj? Si e dispononit këtë tokë ju apo klienti juaj, pasi ajo ka qenë tokë e shpërndarë me ligjin 7501. Dhe po shtoj edhe disa të tjera: Ku ishte kjo tokë? Në Portoromano? Cili ishte çmimi për metër katror? Si e vendosët këtë çmim? Pse donit ta shisnit patjetër? Siç thoni ju zonjë transparenca është standard moral dhe ligjor, ndaj përgjigjuni!”, deklaroi Braçe në rrjetet sociale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB