
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mblodhi në selinë e PS-së 22 përfaqësues të opozitës, me qëllim formatimin e koalicionit opozitar për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.
Në përfundim të takimit, përfaqësues të partive të opozitës deklaruan se spektri i partive opozitare po rritet dhe se, në zgjedhjet e qershorit, ky koalicion do të shkojë me një platformë bindëse për qytetarët.
“Janë mbi 20 parti tashmë, por mund të ketë edhe të tjera që shtohen, e rëndësishme është që kemi një platformë bindëse, të tëra partitë janë të motivuara, e veçanërisht partitë e majta si ajo Socialiste, Social-Demokrate e me radhë. Sigurisht që do të ketë edhe marrëveshje për formën e bashkëpunimit, sepse ka dy qëllime: e para, për të realizuar fitoren, dhe e dyta, për të qeverisur më pas vendin për 4 vitet e ardhshme”, tha Skënder Gjinushi, kryetar i Partisë Social-Demokrate.
“Boshti i kësaj opozite do të jetë ndërgjegja shtetërore dhe ajo kombëtare e politikës, gjë që nuk funksionon sot me mazhorancën aktuale, që i ka shitur interesat kombëtare dhe pothuajse e ka varrosur shtetin”, u shpreh Petro Koçi, kryetar i PSV 91.
Lidhur me përfshirjen e mundshme në këtë koalicion të Partisë Fryma e Re Demokratike dhe Aleancës Kuq e Zi, zoti Koçi deklaroi:
“Për të folur më pas më vete, jo në emër të koalicionit, unë mendoj se ka parti politike, të cilat nuk është e nevojshme të japin përgjigje tani. Besoj se në momentin e duhur, ato do ta ndiejnë të nevojshme dhe të logjikshme për të vendosur bashkëpunimin me opozitën, ose duke bashkëpunuar me të nëpërmjet integrimit në koalicion, apo dhe me forma të tjera politike”, shtoi Petro Koci.
Në takimin, që zgjati më shumë se një orë, mungoi kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, që nga të pranishmit u justifikua si mungesë për arsye teknike e jo politike.
Top Channel