Zhvillimet e fundit në Luginën e Preshevës  janë ngritur si shqetësim edhe në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës.

Duke folur në emër të PDK-së, Zenun Pajaziti shprehu shqetësimin për veprimin e dhunshëm të autoriteteve të Beogradit, ndërsa kërkoi nga përfaqësuesit politikë të Luginës që të marrin masa të koordinuara për kthimin e lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së.

Ndërkaq, deputeti Liburn Aliu i Lëvizjes Vetëvendosje e vlerësoi të padrejtë deklaratën e kryeministrit Thaçi se lapidari në Preshevë nuk u mbrojt, ndërsa tha se situata në atë pjesë do të ishte ndryshe sikur Kosova dhe Shqipëria do të ndihmonin materialisht.

Në anën tjetër, miratimi i rezolutës për Kosovën në Asamblen Parlamentare të Këshillit të Europës, ku i rekomandohet këtij institucioni të vendosë raporte të drejtpërdrejta me Kosovën, ka bërë që LDK të kritikojë Qeverinë e Kosovës për mungesë të hapave konkretë drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës.

Por, Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj ka thënë se anëtarësimi i Kosovës kalon nëpërmjet një votimi të dyfishtë. Sipas Hoxhajt, votat e ministrave të Këshillit i ka Kosova, por jo ato të deputetëve të Asamblesë Parlamentare të këtij Këshilli.

Ditë më parë, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, miratoi Rezolutën për Kosovës dhe përmes saj rekomandohet që Kosova dhe Këshilli i Europës të vendosin raporte të drejtpërdrejta dhe është vlerësuar si arritja e parë konkrete e Kosovës drejt anëtarësimit në këtë Këshill.

Top Channel