
Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ilir Rusmajli deklaroi se cdo vendimmarrje e KQZ-së për ndarjen e mandateve është e paligjshme. Sipas deputetit demokrat, tashmë kompetencat për këtë cështje i ka parlamentit që do të japë një zgjidhje përfundimtare.
Ai thekson se cdokush që ka pakënaqësi nga kjo vendimmarrje e parlamentit, duhet të gjejë rrugët kushtetuese për ta ankimuar.
“Përpara dy muajsh, ose më shumë se sa dy muaj, dy anëtarët e propozuar në KQZ nga Partia Socialiste, bllokuan në kundërshtim me ligjin, gati-gati brutalisht, procesin e caktimit të mandateve për zgjedhjet e vitit 2013. E bllokuan pavarësisht se ligji impononte veprimin e shpejtë të KQZ-së. Afati i parashikuar ishte jo më shumë se dy javë, sot jemi më shumë se dy muaj më pas. Sot cështja është objekt i shqyrtimit të brendshëm parlamentar. Sot parlamenti është në ushtrim të kompetencave të veta të përcaktuara me ligj, sot parlamenti është i gatshëm dhe i vullnetshëm që brenda afateve të mund të trajtojë dhe t’i japë zgjidhje përfundimtare cështjes. Kjo është situata. Cdo veprim tjetër jo vetëm që është absurd nga cdo lloj pikëpamje, por haptazi i kundraligjshëm”, tha Rusmajli.
Por PS quan anti-ligjore ndarjen e mandateve nga ana e parlamentit. Zoti Gjiknuri deklaroi ditën e mërkurë se zgjidhja e mazhorancës bën zgjedhjet të pavlefshme.
“Procesi është i tëri ligjor, nuk është emocional. Proces ligjor do të thotë shfrytëzohen instrumentat ligjore për zgjidhjen e cështjeve ligjore dhe ndiqen rrugët ligjore kur je i pakënaqur me to. Rrugë ligjore nuk është keqpërdorimi i dy apo tre anëtarëve të KQZ-së, rrugë ligjore është që të shohësh se kush janë mjetet për të kontestuar vendimet e institucioneve dhe Kuvendit. Cdo gjë tjetër është retorikë pa kuptim”, reagoi deputeti demokrat, Ilir Rusmajli.
Top Channel